Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Çka kanë të përbashkët Donald Trump dhe Albin Kurti?

Çka kanë të përbashkët Donald Trump dhe Albin Kurti?

Shkruan: Afrim Kasolli – Albin Kurti dhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump janë kundërshtar politik dhe ideologjik. Të paktën i pari e ka pozicionuar vetën kundër të dytit, madje edhe duke “intervenuar” në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, me anë të thirrjes së tij politike drejtuar komunitetit shqiptar në atë vend që të votojnë për presidentin aktual Joe Biden.

Nuk ka dyshim se Joe Biden mund të jetë njëra nga “speciet” e fundit të politikës amerikane, të cilët e ndërtuan botën e pas Luftës së Dytë Botërore, duke u nisur nga besimi se mirëmbajta e aleancave multilaterale në funksion të idealeve të lirisë dhe demokracisë, duhet të jetë njëri nga qëllimet strategjike ndërkombëtare të shtetit përtej brigjeve të atlantikut.

Mirëpo, përtej pretendimeve të Kurtit për afërsi më të madhe me administratën Biden, në të vërtet ai ka shumëçka të përbashkët me ish-presidentin dhe sipas të gjitha gjasave kandidatin e ardhshëm për të parin e Shtëpisë së Bardhë nga Partia Republikane, Donald Trump.

Kuptohet, ata kanë edhe dallime për shkak të rrethanave krejt të ndryshme politike ndërmjet dy shteteve, si dhe besimeve, bindjeve dhe biografive të ndryshme personale. Por këtu është fjala për një ngjashmëri, sa i përket qasjes gati identike të përftimit të pushtetit.

Si Albin Kurtin ashtu edhe Donald Trumpin i ka veçuar aftësia për të ndikuar mbi zgjedhësit në saje të shtrembërimit të realitetit për përftime politike. Të dy kanë arritur që të kenë sukses në sigurimin e mbështetjes elektorale në saje të narracionit se vendet tyre kanë shënuar vetëm degradim, përkundër faktit se të dhënat objektive flasin të kundërtën.

Edhe sot bie fjala, simpatizuesit gjithnjë e më të shumtë të Donald Trumpit janë të bindur se shteti i tyre është duke shkuar në drejtim të gabuar. Prandaj ata duhet të mobilizohen prapa sloganit, Make America Great Again”. Ashtu sikurse ata të Albinit Kurtit, që ushqehen me mitin se Kosova vetëm është shkatërruar për 20 vjet.

Ndërkohë, edhe të dhënat i prezantoi para pak dite analisti i njohu,r Fareed Zakaria, në shkrimin “Americans are far too pessimistic about the future” flasin për krejt diçka tjetër. Sipas tij, rritja e ekonomike e vendit ishte rreth 5.2%, e të mos flasim për rënie të inflacionit, ekspansion të prodhimit dhe rritje te pagave.

Ndërkohë, SHBA-të vazhdojnë ta dominojnë botën sa i përket sferës teknologjike. Madje, vlerat e aseteve të këtyre të fundit të marra veçmas janë më të mëdha se të atyre të Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Francës të marra së bashku. Të mos flasim për trendët pozitive demografike dhe kontributin e imigracionit ne mirëmbajtjen e këtij trendi.

Ndërsa jo më larg se para pak dite, Trump para simpatizantëve të tij deklaroi se “Amerika ndodhet në rrezik, sepse vendet e huaja i kanë zbrazur burgjet dhe institucione te shëndetit mendor duke kontribuar në një rekord emigrantesh”. Mirëpo, edhe përkundër këtyre zhvillimeve shpresëdhënëse, gjithnjë e shumë amerikanë janë duke përkrahur idenë se vendit të tyre i duhet një lider i fort, ku do t’i lejohet edhe ta shkel ligjin me qëllim që ta vendos atë në drejtim të duhur.

Të dy për arsyeje të ndryshme i ka bashkuar pasioni politik për  t’i sulmuar institucionet kushtetuese dhe juridike, duke i konsideruar ato si mjete të konspiracioneve vendore e globale kundër drejtësisë popullore.

Po ashtu, si njëri ashtu edhe tjetri në vazhdimësi e kanë mohuar legjitimitetin e oponentëve politikë. Kur këta kanë fituar Trump dhe Kurti, ka vendosur populli, por kur kanë humbur atëherë vullneti i këtij të fundit ka qenë i tjetërsuar dhe korruptuar. Jo pak herë në fjalimet e tyre si njëri ashtu edhe tjetri i kanë portretizuar kundërshtarët e tyre si rrezik dhe kërcënim për interesat nacionale të vendit.

Si tipar tjetër i përbashkët mund të merret edhe fakti se si njëri ashtu edhe tjetri në rrethana të caktuara ose e kanë inkurajuar dhunën, ose nuk e kanë dënuar në mënyrë të duhur atë dhe sulmet ndaj institucioneve demokratike. Është i njohur sulmi ndaj Capitoll Hill dhe skenat me gazlotsjellës në Kuvendin të Kosovës.

E kur janë përballuar me drejtësinë për pasojat e veprimeve të tyre ia kanë dalë që të fitojnë në sytë e opinionit publik aureolën e martireve dhe të persekutuarëve politikë nga kundërshtarët e tyre.

/TV Arbëria

Themes by WordPress