Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Canaj: Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Kosovës ka çaluar

Canaj: Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Kosovës ka çaluar

Ish-diplomati, Blerim Canaj vlerëson se procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në botë ka çaluar si pasojë e mungesës së përvojës.

Canaj ka thënë se Ministria e Jashtme nuk e ka ditur cili është roli i saj në raport me mbajtjen e zgjedhjeve nëpër përfaqësitë diplomatike.

Sipas tij kjo ministri ka harruar që në këtë proces është vetëm ‘një shërbëtore që funksionon dhe vepron vetëm me kërkesat e KQZ-së’.

“Kam përshtypje që Ministria e Jashtme nuk e ka ditur cili është roli i saj në raport me mbajtjen e zgjedhjeve nëpër misione diplomatike, për shkak se kam përshtypje që ata kanë menduar që kjo ministri do të merret me atë punë dhe sikur e kishin harruar që është vetëm një shërbëtore e cila funksionon dhe vepron në këtë rast vetëm me kërkesat e KQZ-së. Do të thotë ka pasur në mungesë të përvojës çalime e tani ta shohim sesi do të përfundojë”, ka deklaruar Canaj për Tëvë1.

Në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në botë, më 8 shkurt për herë të parë është zhvilluar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

Nga 20.324 votues të regjistruar, 15.552 ose 73.56 për qind e tyre kanë votuar.

“Nuk është paraqitur asnjë parregullsi. I gjithë procesi ka shkuar sipas planifikimeve dhe pa asnjë problem”,  ka deklaruar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.