Ish-diplomati Blerim Canaj ka folur për urat e reja që kanë filluar të ndërtohen në veri të vendit.
Sipas tij, këto ura nuk mund të shfrytëzohen pa “aminin” e ndërkombëtarëve.
“Urat në veri mund t’i ndërtoj por ne nuk do të mund t’i shfrytëzojmë sepse edhe aty duhet një marrëveshje, një kompromis. Çka do të bëjë Albin Kurti nëse i ndërton urat dhe ku KFOR-I e lë vetëm nga një ushtar në secilën urë dhe thotë: nuk mund të kalohet këtu. Ne e dimë që ajo nuk do të ndodhë, është një kauzë e rrejshme që po e ngrit Kurti me shpresën që ne të shkojmë në zgjedhje qendrore.”. ka thënë Canaj në ARB Debat me Ridin që transmetohet në TV Arbëria.
Sipas Canajt, Kurti do që të shkohet në zgjedhje qendrore para atyre lokale dhe jo në të dyjat përnjëherësh.
“Ne e kemi parë që interesimi i pakicës serbe është që të futen në zgjedhje komunale dhe natyrisht që ata do t’i fitojnë komunat në veri. E tëra kjo propagandë për 4 vite bie në pikën zero. Dhe Kurti nuk ka më se me çka të dalë në zgjedhje. Dmth ai tanimë mund ta bindë vetëm një qytetar që me të vërtetë nuk sheh, që t’ia japë votën.”, ka shtuar ai.