Ish-diplomati, Blerim Canaj ka vlerësuar se Bashkimi Evropian ka legalizuar strukturat ilegale brenda Kosovës me vendimin që serbët e Kosovës me pasaporta të Serbisë të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë 1 ai ka përmendur tri arsye pse BE mund ta ketë marrë këtë vendim.
“Unë e shohë si një farë dënimi për Qeverinë, së pari ndoshta BE duke pasuar parasysh se kanë qenë disa marrëveshje apo disa detyra shtëpie që është dashur t’i bëjë Qeveria e të cilat nuk janë bërë dhe madje janë përdorur edhe për konsum të brendshëm. Kjo mund të jetë një përgjigje ku thuhet “ok” vendimet për Bashkimin Evropian i marrim ne. E dyta, BE si institucion nuk e ka njohur Kosovën për shkak të pesë vendeve. E treta, çka mund të jetë një farë arsyetimi nga BE mund të thuhet që ekziston e drejta madje e shumë shtetësisë me Kushtetutën e Kosovës dhe këta e kanë këtë pasaportë”, ka thënë Canaj.
Por, ai gjithë këtë fajin i ja vë diplomacisë dhe Qeverisë së Kosovës.
“Mund të them lirshëm që këtu ka dështua diplomacia dhe Qeveria e Kosovës për shkak se të gjithë e dimë që puna e diplomacisë është t’i bëjë të qarta me disa gjëra me shtetet me të cilat ka kontakt, nëse nuk mund të hiqet nga tavolina e bisedimeve të shtyhet”, ka thënë ai.