Në gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të Aeroportit, Bahri Nuredinit dhe Driton Mehaj gjykata ka caktuar grupin prej tre ekspertëve nga fusha financiare, prokurimit dhe e fushës përkatëse të aviacionit për përpilim të ekspertizës së re.
Deri te vendim erdhi pasi që paraprakisht mbrojtësi i të akuzuarit Nuredini, avokati Agron Selimaj tha se eksperti i angazhuar nga ana e Prokurorisë Speciale ka përpiluar ekspertizë të mangët dhe nuk ka marrë për bazë të gjitha dokumentacionet.
Tutje, avokati Selimaj tha se gjatë marrjes në pyetje të ekspertit Agim Sheqiri i angazhuar nga ana e prokurorisë në 50 pyetjet e parashtruara nga mbrojta ka deklaruar se nuk ka përgjigje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se eksperti Sheqiri ka bërë vlerësime të fushës inxhinierike, duke konstatuar se ka pasur ndërhyrje mekanike në pajisjen e radarit, edhe pse sipas tij i njëjti nuk është ekspert për këtë fushë, e duke shtuar se do të angazhojnë ekspert privat për përpilim te ekspertizës.
Këtë deklarim të avokatit Selimaj e mbështeti edhe mbrojtësi i i të akuzuarit Mehajt, avokati Ilir Rashiti.
Këtë propozim e kundërshtoi prokurori special, Milot Krasniqi duke thënë se ekspertiza e përpiluar nga eksperti Sheqiri i përmban të gjitha të dhënat e kërkuara dhe se ka zhvillim kronologjik të procesit.
Po ashtu, propozimin e mbrojtjes e kundërshtoi edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar ASHNA, avokati Kushtrim Palushi, duke shtuar se mbrojtja e ka pasur kohë me herët për ekspertizë dhe se një propozim i tillë zvarrit procesin gjyqësorë.
Mirëpo trupi gjykues vendosi që të nxjerr ekspertizë të re e cila do të përpilohet nga grupi prej tre ekspertëve nga fusha financiare, prokurimit dhe e fushës përkatëse të aviacionit.
Më pas seanca u ndërpre për të vazhduar kur të dorëzohet ekspertiza e re nga grupi i ekspertëve.
Paraprakisht në seancën e sotme i akuzuari Mehaj pat disa pyetje për eksperti Sheqiri, ku ky i fundit deklaroi se në ekspertizë e tij është bazuar në procesin pas tenderimit dhe jo zhvillimi i procesit para tenderues.
Lidhur me procesin e zhvillimit të aktiviteti tenderues ai tha se nuk është lëshuar në ligjshmërinë e procesit në fjalë me rastin e përpilimit të ekspertizës.
Eksperti Sheqiri deklarimin e tij e ka filluar në seancën 29 majit 2024, ku ndër të tjera kishte deklaruar se në rastin konkret si dëm i matshëm pa përfshirë pjesët tjera të dëmeve që mund të jenë shkaktuar e për të cilat nuk ka njohuri, është vlera 1 milion e 937 mijë e 230 euro.Ai u dëgjua edhe në seancën e 3 qershorit 2024, ku tha se kompania “TCN” u tërhoq nga kontrata për shkak të vonesave të pagesave.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 maj 2022 nga Prokuroria Speciale, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Sipas aktit akuzues, Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Mehaj në cilësinë e Menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror (KDNM), kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që më 8 dhe 9 shtator, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K., me vlerë të përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.
Të njëjtit, me këto veprime, thuhet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik në lartësi prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.