Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Cakolli: LVV-ja afër 49 mandateve, LDK-ja mund t’ia marrë një mandat PDK-së

Cakolli: LVV-ja afër 49 mandateve, LDK-ja mund t’ia marrë një mandat PDK-së

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë se bazuar në mbi 30% të votave me postë të numëruara, Vetëvendosje është afër sigurimit të 49 mandateve.

Sipas Cakollit, për ta arritur këtë LVV-ja duhet të fitojë mbi 60% të të gjitha votave me postë çka siç ka thënë ai ‘me trendin aktual, është e mundur, por jo e garantuar’.

Derisa tha se bazuar në trendin aktual të votave me postë, Cakolli ka thënë se vërehet një performance pozitive e LDK-së që sipas tij me një trend të tillë është vetëm disa qindra vota larg që ta marrë edhe një mandat nga PDK-ja.

“Me mbi 30% të votave me postë të numëruara (shtuar votave nga vendvotimet e rregullta dhe misionet diplomatike) këto janë projeksionet e ndarjes së mandateve në Kuvendin e Kosovës. LVV-ja vazhdon të jetë e para me shumicën e votave me postë, por është dukshëm larg nivelit të përkrahjes sikur në votat në misionet diplomatike. Megjithatë, procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon, dhe trendet e votave të mbetura mund të sjellin disa prej këtyre ndryshimeve: LVV është afër sigurimit të 49 mandateve, por që ta arrijë këtë, duhet të fitojë mbi 60% të të gjitha votave me postë. Me trendin aktual, kjo është e mundur, por jo e garantuar. LVV mund të arrijë edhe në 50 mandate, nëse fiton rreth (+) 70% të votave me postë. Me trendet e deritanishme, kjo është vështirë e arritshme, por e mundur. Ajo çfarë bie në sy është një performancë tejet pozitive e LDK-së, e një e dobët e PDK-së. Me një trend të tillë, LDK është vetëm disa qindra vota larg që ta marrë edhe një mandat nga PDK, dhe nëse vazhdon të performojë mirë në votat me postë, mund të arrijë 21 mandate. Nëse LDK rritet edhe më shumë, kjo mund të ndikojë në gjasat e LVV-së për të siguruar 49 mandate. PDK është në zonë kritike midis 23, 24 dhe 25 mandateve. Aktualisht është në 24 mandate, por afër t’a humbë një. E madje, nëse LVV shkon drejt 50 mandateve, PDK mund të humbasë edhe një mandat tjetër. Për t’i pasur 25 mandate, PDK-ja duhet t’i ketë mbi 13% të votave me postë – që është gati dyfishi i përqindjes që ka tash”, tha ai në Facebook.