Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës duke folur për tentimin për të krijuar komision për votim të fshehtë, ka pyetur se si mund të quhet zgjidhje një procedurë që ka dështuar 34 herë radhazi.
Duke iu përgjigjur kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, ai ka thënë se Dehari nuk ka kurrfarë diskrecioni e autoriteti për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë seancës.
“Mënyra e votimit, ndonëse si standard është e hapur, mund të jetë çështje diskutimi dhe vendimmarrje vetëm në takimin përgatitor të thirrur nga ish-Kryetari dhe grupet parlamentare, që këtë herë u mbajt më 8 prill. Kjo nuk mund të anashkalohet apo zëvendësohet me vendime të njëanshme e arbitrare gjatë seancës”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka thënë se të këmbëngulësh për formën e votimit të fshehtë është edhe manipulim procedural.
“Në vend të këtij manipulimi, do të duhej që vet Kryesuesi dhe partia të cilës ai i përket, të kthehen te parimet e konsensusit dhe kompromisit politik, duke respektuar vendimet e marra në mënyrë kolektive. Pikërisht kjo është esenca e aktgjykimit të fundit – që po injorohet qëllimisht”, ka shkruar ai.