Profesori universitar Seb Bytyqi ka folur rreth debatit për hapjen apo mos-hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.
Se a është çështje politike apo çështje e sigurisë hapja e Urës së Ibrit, Bytyqi ka thënë se tani për tani është çështje politike mirëpo sipas tij, mund të shndërrohet në çështje të sigurisë.
Ai ka thënë se nëse i referohemi të kaluarës së afërt, ku nga një protestë e organizuar nga serbët në veri që ishte shndërruar në dhunë e sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, mund të jetë një skenar i ngjashëm edhe tani.
“Aty është frika që ka potencial që situata të shndërrohet në një çështje të sigurisë. Pikërisht aty qëndron edhe arsyeja pse ka rezistencë apo kërkesa nga partnerët ndërkombëtar që të mos bëhet hapja e urës”, deklaroi ai në RTV Dukagjini.
Tutje Bytyqi ka thënë se nga e kaluara kemi pa që struktura të sigurisë së Serbisë planifikojnë veprimet e tyre në bazë të veprimeve të Kosovës në mënyrë që të fajësohet Kosova për ato eskalime apo trazira.
Ai është shprehur se meqë është kërkesë e partnerëve të mos hapet ura duhet të ketë edhe informata që ka rrezik që të shndërrohet në një problem të sigurisë hapja e Urës së Ibrit.
Sa i përket legjitimitetit të kërkesave të partnerëve ndërkombëtar për mos-hapjen e urës, Bytyqi ka thënë se “nëse kanë informata se përbëjnë rrezik, janë legjitime”, duke shtuar se qëllimi i tyre është që të minimizohet mundësia e trazirave dhe që të mos shkaktohet dhunë.