Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Të ndryshme > Byrek me hithra dhe kos, i shijshëm plot vlera ushqyese

Byrek me hithra dhe kos, i shijshëm plot vlera ushqyese

Është pikërisht koha kur hithrat janë të freskëta dhe të njoma dhe përgatitja e një byreku me to është zgjidhja ideale, jo vetëm për shijen por edhe për shëndetin.

Byrek me Hithra dhe Kos

Përbërësit

  • 1 kg hithra të njoma
  • 200 ml kos i freskët
  • 500 gr Miell
  • 250 ml Ujë
  • Kripë
  • Vaj Ulliri
  • Sodë Buke
  • Dy lugë gjelle djathë i bardhë i thërrmuar

Përgatitja e Brumit

Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin.

Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë.

Në këtë moment nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.

Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër.

E lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e hithrave.

Përgatitja e Mbushjes 

Grijmë hollë përmes një thike të mprehtë hithrat.

U hedhim kripë dhe i shtypim me duar, i vendosim në zjarr me pak ujë sa të marrin një valë dhe uji të ketë shteruar.

U shtojmë djathin e thërrmuar dhe i përziejmë.

Për të përftuar një masë pak të trashë të gjellës, në një gotë të vogël të hidhni një lugë miell dhe treteni me kos.

Këtë masë, më pas e shtojmë tek hithrat dhe përzjejmë masën derisa të njëtrajtësohet.

Procesi i pjekjes në furrë 

Pasi e përgatisim gjellën me hithrat, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar.

Brumin e ndajmë në 10 toptha të vegjël.

Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer me disa pika vaj ulliri, shtrojmë petën tjetër, e spërkasim me disa pika vaj ulliri dhe vijojmë kështu derisa të kemi shtruar petën e katërt.

Më pas, shtrojmë gjysmën e mbushjes me hithra.

Më pas, vijojmë të shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur me disa pika vaj ulliri.

Hedhim pjesën tjetër të hithrave dhe vijojmë me shtrimin e katër petëve të tjera.

Në fund petëve u kthejmë pak anët.

Më pas, byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë deri sa të marrë pjekjen e duhur.

Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me pak gjalpë fshati.

Themes by WordPress