Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Arsim > Bursa për studime në Tajvan për studentët kosovarë, UP hap dyert për bashkëpunim

Bursa për studime në Tajvan për studentët kosovarë, UP hap dyert për bashkëpunim

Më 23 shkurt, Zyra Përfaqësuese e Tajpeit dhe Universiteti i Prishtinës kanë organizuar një prezantim mbi programin e Trajnimit për gjysmëpërçuesit dhe mikroçipat dhe për programet e Bursave për të informuar studentët kosovarë rreth mundësive për të studiuar në Tajvan.

Në njoftimin e Universitetit të Prishtinës për këtë ngjarje thuhet se Tajvani është njëri nga prodhuesit më të mëdhenj të gjysmëpërçuesve që përbëjnë materialin bazë për ndërtimin e mikroçipave, pa të cilët nuk mund të mendohet përditshmëria e sotme njerëzore.

Në vitin 2025, gjithsej dhjetë studentë u ftuan të merrnin pjesë në programet e trajnimit afatshkurtër të gjysmëpërçuesve të Tajvanit në Evropë.

“Ngjarja u hap nga prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik, prof. Rozafa Basha, e cila i inkurajoi studentët e pranishëm të shfrytëzojnë këtë mundësi të veçantë për t’u informuar mbi programet tajvaneze të bursave dhe shkëmbimit, veçanërisht në fushat e inxhinierisë, por edhe në disiplina të tjera. Ajo theksoi se Tajvani është një ndër vendet ku inovacioni përbën shtyllën kryesore të zhvillimit industrial, duke nënvizuar faktin se rreth 90% e çipave më të avancuar në botë prodhohen pikërisht atje. Prezantimin e programit të bursave nga Tajvani e bëri zëvendësdrejtoresha e Zyrës Përfaqësuese të Taipeit në Budapest të Hungarisë, znj. Anna Y. C. Ho. Ajo për studentët e UP-së i cilësoi më të përshtatshme bursat e trajnimit për ndërtimin e gjysmëpërçuesve dhe bursat e programit ndërkombëtar të arsimit të lartë. Tha se mbulohen të gjitha shpenzimet e studentëve, përfitues të këtyre bursave, ndërsa afati i fundit për aplikim është 15 marsi 2026”, thuhet në njoftimin e Universitetit të Prishtinës.

Ka shumë programe bursash që mund të mbështesin studentët e huaj për të studiuar në Tajvan.

Linku ku mund të gjeni informacione për bursat që ofrohen:

https://www.roc-taiwan.org/hu_hu/post/4015.html

https://www.roc-taiwan.org/hu_hu/post/4015.html