Ish-inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosje, duke e lidhur krizën energjetike me situatën politike në vend.
Ramadani ka deklaruar se gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes, Kosova ka blerë rreth 1 miliard euro energji elektrike, duke ngritur pyetjen se kush ka përfituar nga kjo situatë.
“Punëtorët po paguajnë me jetë! Askush nuk jep përgjegjësi!”, ka shkruar ai.
Sipas Ramadanit, përveç problemeve energjetike, vendi tashmë po përballet edhe me “terr politik”, pasi institucionet janë bllokuar dhe qytetarët po vuajnë pasojat.
“Nëse nga terri energjetik u blenë rreth 1 miliard euro rrymë dhe po përfiton mafia energjetike, pyetja sot është: Nga terri politik kush po përfiton?”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka bërë thirrje për tejkalimin e bllokadës institucionale, duke theksuar se “Kosova nuk është pronë e pushtetit uzurpues, por e qytetarëve”.