Burim Halili ka reaguar lidhur me vendimin për mbylljen e një restoranti pranë burimeve të ujit të pijshëm, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si është vepruar nga institucionet.
Halili shprehet se është e çuditshme që një aktivitet që, sipas tij, ka funksionuar për më shumë se 10 vite, të lejohet me vite dhe më pas të kërkohet mbyllja e tij vetëm brenda një afati prej 10 ditësh.
Ai ngre shqetësimin se operatori ekonomik ka afat 10 ditë për largimin e pajisjeve, ndërsa KRU Gjakova obligohet të shkëpusë kontratën me operatorin. Sipas Halilit, kjo mund të sjellë pasoja juridike, përfshirë mundësinë që operatori të padisë KRU Gjakovën për shkëputje të njëanshme të kontratës.
Halili i është drejtuar edhe ministres, duke thënë se çdo pasojë financiare eventuale do të paguhej nga taksapaguesit.
“Ministre, këtu ka pasoja e dikush duhet me pagu ato, se ato paguhen nga taksat dhe taksat i paguajnë qytetarët”, ka shkruar Halili.
Ai kërkon që, para marrjes së vendimeve të tilla, të bëhet një ekspertizë profesionale për të konstatuar nëse aktiviteti në fjalë ndikon realisht në burimet e ujit të pijshëm.
Sipas tij, nëse ekspertiza do të konstatonte ndikim, atëherë vendimi për ndërprerjen e aktivitetit do të kishte bazë më të qartë ligjore dhe nuk do të krijonte dyshime për motive politike.
Në fund, Halili thotë se veprimi institucional pas një heshtjeje shumëvjeçare dhe me një afat vetëm 10-ditor për mbyllje, krijon pasiguri për çdo qytetar që investon në një biznes.