Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës sot me vendim unanim zgjodhi, Burbuqe Hana, në pozitën e kryeshefes ekzekutive të Telekomit të Kosovës, me mandat trevjeçar.
Më datën 23 dhe 24 nëntor 2022, Komisioni Vlerësues në bashkëpunim me Partnerin zbatues për monitorim, për pozitën kryeshef ekzekutiv, në mesin e 18 aplikacioneve të pranuara, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve/aplikacioneve ka përzgjedhur në listën e ngushtë për intervistim pesë kandidatë.
Më datën 5 dhe 6 dhjetor 2022, Komisioni Vlerësues në bashkëpunim me Partnerin zbatues për monitorim të procesit të përzgjedhjes ka intervistuar kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit.
Komisioni në bazë të metodologjisë për vlerësimin e zyrtarëve të lartë, të përcaktuar nga Partneri zbatues për monitorim (BDO), ka bërë poentimin e të gjithë kandidatëve të intervistuar, ku Burbuqe Hana është vlerësuar nga Komisioni Vlerësues me më së shumti pikë.
Ndërsa për pozitën zyrtar kryesor i Financave dhe Thesarit, kanë aplikuar gjashtë kandidatë. Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve/aplikacioneve, Komisioni Vlerësues ka konstatuar që nuk ka numër të mjaftueshëm të kandidatëve që i plotësojnë kushtet e përcaktuara me konkurs, konform legjislacionit në fuqi dhe Komisioni Vlerësues rekomandon që të rishpallet konkursi. /TV Arbëria