Ai ka thënë se i akuzuari për krime lufte ishte rritur dhe kishte luajtur me fëmijë1t e dëshmitares Daçajt.
Në këtë rast Pleskoviq akuzohet se gjatë viteve 1998-1999, në Prizren ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, raporton “Betimi për Drejtësi”
“Ndër dëshmitar kryesor është dëshmitari Xh.C që mund të konsiderohet dhe mbijetuar i kësaj ngjarjeje, ai do të tregojë saktësisht se si në ditën e ngjarjes shkuan në mal, ai do te tregojë se me kë ishte dhe ai do të tregojë momentin kur janë takuar me të pandehurin dhe 7 persona të tjerë” shtoi prokurori Morina.
Ndërsam në fjalën hyrëse të mbrojtës së palës së dëmtuar, Mirije Daçaj, avokati Gent Gjini tha se i akuzuari ka kryer veprën penale dhe janë formuar të gjitha elementet e figurës së veprës.
“Ne do të kërkojmë që të nxirret prova e facebook-ut të profilit të tij, ku shihet që i njejti ka postime radikale ekstremiste serbe dhe aty shihet se është me bashkëluftëtarët e tij, me çka konsiderojmë se edhe kjo do ta forcojë tezën e akuzës së prokurorisë edhe më shumë”, tha avokati Gjini.
Ndërsa, në fjalën hyrëse të mbrojtjes së të akuzuarit Pleskoviq, avokatia Jovana Filipoviq, tha se përgjatë këtij shqyrtimi do të mundet që të tregojë një perspektiv tjetër të të mbrojturit të tij.
“Unë do të mundohem të prezantoj personin Millosh Pleskoviq nga një kënd tjetër. Unë vetëm do të tentoj që në këtë procedurë të vërtetojmë të vërtetën. Kjo është ajo që e kërkojnë të dëmtuarit dhe ajo se çfarë po kërkon edhe i akuzuari, e kështu që konsiderojmë që qëllimi është i njëjtë”, deklaroi avokatia Filipoviq.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024 thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-99 në Prizren në bashkryerje me person tjerë ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil duke kryer vrasjen e viktimave.
Sipas aktakuzës, Pleskoviq duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb me 1 shtator 1998 në Prizren derisa ishin duke shkuar për na malin e tyre viktimat Reshat Daçaj, Binak Daçaj, Fatmir Bojaxhiu së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastratin fillimisht janë dal papritmas nga grupi i armatosur serbë, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe e që ne mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Pleskoviq.
Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Pleskoviq kishte filluar të gjuaj me armë të tipit “Kallash Nikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë Reshat Daçaj, Binak Daçaj, Fatmir Bojaxhiu, kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.
Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e Reshat dhe Binak Daçaj ishin vendosur mbi njëri tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima Fatmir nuk e kishte kokën në trup.
Andaj, për këto veprime Pleskoviq po ngarkohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale.