Në kuadër të vizitës së tij në Kiev, kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani ka zhvilluar sot një takim me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, ku ka shprehur mbështetjen e tij për Qeverinë e Ukrainës, duke theksuar se OSBE-ja mbështet popullin ukrainas dhe përpjekjet për rivendosjen e paqes dhe stabilizimin e rajonit.
“Impresionuese sakrifica dhe angazhimi i presidentit Zelensky për mbrojtjen e popullit ukrainas dhe guximi i tij në ballafaqimin me sfidat dhe pasojat e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës. I bëj thirrje Rusisë që menjëherë t’i japë fund agresionit. OSBE-ja mbështet popullin ukrainas dhe do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën. Kjo mbështetje është e nevojshme për përpjekjet e Ukrainës për të rivendosur paqen dhe për të ndërtuar një të ardhme stabile për qytetarët e saj”, theksoi Osmani.
Osmani tha se OSBE-ja ka mekanizma dhe kapacitete për të ndihmuar njerëzit nga zonat e konfliktit përmes punës në terren.
“Një nga hapat e parë duhet të jetë kthimi i menjëhershëm i një misioni në terren të OSBE-së në Ukrainë. Misioni do të bëjë një ndryshim të madh në terren për të garantuar stabilitet, siguri dhe respektim të të drejtave të njeriut për çdo qytetar”, tha Osmani.
Vizita e Osmanit në Ukrainë është në kuadër të realizimit të njërit prej prioriteteve kryesore të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, në të cilin fokusi është te njerëzit në terren që janë më të prekur nga agresioni ushtarak.