Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Bugaqku: Sa i përket ditës së zgjedhjeve, jemi shembull, por çalojmë në numërimin e votave, kjo si pasojë e një sistemi të komplikuar – kemi një dështim

Bugaqku: Sa i përket ditës së zgjedhjeve, jemi shembull, por çalojmë në numërimin e votave, kjo si pasojë e një sistemi të komplikuar – kemi një dështim

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i ftuari në emisionin “N’PULT” në TV Arbëria, me moderatorin Resim Morina, ka folur për procesin zgjedhor deri më tani.

Ai ka thënë se sa i përket ditës së zgjedhjeve, Kosova është shembull, duke iu referuar faktit që nuk ka pasur ndonjë incident të madh që mund ta prishte procesin zgjedhor si tërësi.

“Në nivel të rajonit, unë mendoj se sa i përket ditës së zgjedhjeve, ditës së votimit, ne jemi shembull, për faktin se nuk kemi pasur ose nuk kemi hasur raste të incidenteve të rënda që do ta lëndonin procesin zgjedhor,” ka thënë ai në TV Arbëria.

Bugaqku ka theksuar problemet në numërimin e votave, ku sipas tij kjo vjen si pasojë e një sistemi zgjedhor të komplikuar.

“Ne po kalojmë në procesin e administrimit të numërimit të votave, qoftë për subjektet politike, qoftë për kandidatët për deputet, dhe kjo vjen si pasojë e një sistemi zgjedhor që ndoshta e kemi pasur të komplikuar. Po ashtu kemi mungesë të mekanizmave që KQZ-ja asesi të reformohet në kuptimin e zhvillimit teknologjik të numërimit të votave, të rezultateve dhe të fletvotimeve,” ka thënë Bugaqku nga KDI.

“Pra, ne hala numërojmë në kopje fizike. Tek këtë vit ka filluar njëlloj procesi i digjitalizuar i numërimit të fletvotimeve përmes kamerës,” shton ai.

Hulumtuesi i KDI-së shpalos për TV Arbëria se në numërimin e votave janë hasur disa manipulime, ku thotë se “Në disa raste kemi edhe mbi 20, 30, dhe 100 vota që janë më shumë në kutinë e votimit se sa janë të nënshkruar në listën e nënshkruesve”.

“Shembujt kohëve të fundit po dëshmojnë që kemi dështuar, sidomos në qendrën e numërimit të rezultateve për faktin që po hasen shumë manipulime, dhe aktualisht ka një problematikë që nuk po përputhen votat në kutitë e votimit me listën e nënshkrimeve që janë nënshkruar si votues në ditën e zgjedhjeve. Në disa raste kemi edhe mbi 20, 30, dhe 100 vota që janë më shumë në kutinë e votimit se sa janë të nënshkruar në listën e nënshkruesve,” ka thënë ai në TV Arbëria.

“Kjo shpërfaq një anomali, ose janë shtuar votat nga ana e zyrtarëve që kanë punuar në numërimin e votave në KQZ, ose në ditën e zgjedhjeve komisionerët e vendvotimeve nuk kanë performuar në mënyrë të mjaftueshme,” thotë tutje ai.