Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka pritur në takim delegacionin britanik, të përbërë nga Paul O’Connor, zv.Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Gareth Evans, Këshilltar për Politikat Tregtare në Departamentin për Tregti Ndërkombëtare dhe Nick Clements zv. Drejtor i Departamentit për Tregti Ndërkombëtare Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore.
Sipas njoftimit, takimi ishte i karakterit njoftues dhe me diskutim në temat e takimit të përbashkët të Komitetit të Tregtisë në lidhje me prokurimin e kujdesit shëndetësor, që kërkon një ndryshim në Marrëveshjen e Partneritetit, Tregtisë dhe Bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, sipas regjimit të ri britanik të prokurimit të brendshëm për kujdesin shëndetësor.
“Takimi u përfundua në pajtueshmëri në parim, pas konsultimeve të afërta të brendshme me institucionet përgjegjëse në fushën e shëndetësisë dhe në qëllim të përbashkët të të dyja vendeve për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik”, thuhet në njoftim./TV Arbëria