Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Britania e madhe nuk kundërshton urdhërarrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare kundër Netanyahut

Britania e madhe nuk kundërshton urdhërarrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare kundër Netanyahut

Britania e Madhe nuk do të ndërhyjë në kërkesën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për një urdhërarrest kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar zyra e kryeministrit britanik, Keir Starmer.

Ky njoftim përmbys planet e ish-kryeministrit Rishi Sunak, i cili u mposht në fillim të këtij muaji pasi Partia Laburiste e Keir Starmer fitoi ndaj Konservatorëve.

“Ky ishte një propozim nga qeveria e mëparshme dhe është një çështje për të cilën duhet të vendosë gjykata” tha Starmer.

Bëhet e ditur se prokurori i ICC-së, Karim Khan, akuzoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun, Ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe tre udhëheqës të Hamasit – Yehya Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh – për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe Izrael.

Netanyahu dhe udhëheqës të tjerë izraelitë e dënuan këtë veprim si të turpshëm dhe antisemitik, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, kritikoi gjithashtu prokurorin dhe mbështeti të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër Hamasit – ashtu si Sunak.

Por, Khan kërkoi urdhërarrest për Netanyahun dhe Gallantin në maj, në një goditje simbolike që thelloi izolimin e Izraelit për luftën në Gazë.

Izraeli nuk është anëtar i gjykatës. Edhe nëse lëshohen urdhra, Netanyahu dhe Gallant nuk përballen me ndonjë rrezik të menjëhershëm të ndjekjes penale.

Megjithatë, kërcënimi i arrestimit mund të komplikojë aftësinë e tyre për të udhëtuar.

Ndërkohë, vendimi i Starmer e vë Britaninë e Madhe në kundërshtim me SHBA-në, megjithëse zyra e tij e përshkroi vendimin si të bazuar në një besim të fortë në ndarjen e pushteteve dhe sundimin e ligjit brenda dhe ndërkombëtarisht.

Ndryshe, Starmer, një ish-avokat i të drejtave të njeriut, është përballur me presion nga partia e tij për të marrë një qëndrim më të vendosur ndaj krizës në Gazë, veçanërisht pasi numri i të vdekurve dhe numri i të plagosurve vazhdojnë të rriten.

Londra ka qenë gjithashtu skenë e protestave të mëdha që dënojnë veprimet e Izraelit që synojnë të “shkatërrojnë” militantët e Hamasit dhe gjithashtu ka raportuar nivele rekord të incidenteve antisemitike.

Powered by WordPress