Bekim Brestovci, drejtor i Shërbimeve Publike në kryeqytet, ka thënë se ndërmarrja “Pastrimi” për mbeturinat po operon pa një kontratë me Komunën e Prishtinës.
Brestovci, në Arb Debat me Rid Berishën, thotë se radhazi komuna i ka dërguar kontratat kësaj ndërmarrjeje, por që asnjëra nuk është nënshkruar.
“Ne tani i kemi ofruar ndërmarrjes ‘Pastrimi’ dy kamionë të tjerë, të cilët ende po presin që ndërmarrja ‘Pastrimi’ të vijë në Komunën e Prishtinës, ta nënshkruajë kontratën dhe t’i marrë edhe dy kamionët tjerë,” ka thënë Brestovci.
“Ndërmarrja ‘Pastrimi’ sot operon në kryeqytet pa një kontratë me Komunën e Prishtinës,” ka thënë tutje drejtori i Shërbimeve Publike.
Brestovci, në Arb Debat, bën të ditur se komuna ndërmarrjes “Pastrimi” i ka dërguar kontratë në vlerë prej 1.5 milionë, por që akoma nuk kanë një marrëveshje.
“Dje i kemi dërguar një kontratë të re në vlerë prej 1.5 milionë për pastrimin e hapësirave publike prej mbetjeve sipërfaqësore, sepse jo gjithherë mbeturina kemi vetëm në lokacionet e mbeturinave dhe në kontejnerët për mbeturina, por shpeshherë hasim në mbeturina të shumta në hapësira publike.
Dhe këta dy kamionë, të cilët ne nuk ua kemi dhënë ndërmarrjes ‘Pastrimi’ akoma në shfrytëzim, kanë qenë të dedikuar për një kategori të tillë të punëve, të cilën ne me dëshirën më të madhe do ta bënim me ndërmarrjen ‘Pastrimi’. Kamionët janë duke ndenjur në oborrin e Komunës së Prishtinës, sepse ndërmarrja ‘Pastrimi’ ende nuk po e nënshkruan kontratën për të cilën kanë qenë të menduar këta dy kamionë,” ka thënë Brestovci.
Ndër të tjera, ai thotë se për këtë çështje që lidhet me ndërmarrjen “Pastrimi”, komuna i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese dhe asaj Supreme. /TV Arbëria
NDIQENI EMISIONIN E PLOTË: