Ekipi nga Bresana e Dragashit ka fituar vendin e parë në turneun treditor të futbollit të vogël të mbajtur në kuadër të aktiviteteve për Ditët e Mërgatës në këtë komunë.
Sipas njoftimit të Komunës së Dragashit në finalen e zhvilluar në Bellobrad, ekipi nga Bresana ka mposhtur ekipin nga Zaplluxha.
“Ka përfunduar turneu treditor “Ne për Mërgatën, Mërgata për Vendlindjen”, i cili u organizua në kuadër të Agjendës së aktiviteteve për Ditët e Mërgatës, të cilat po mbahen nën patronazhin e kryetarit Xheladini. Fituese e këtij turneu doli Bresana, e cila e mposhti Zaplluxhën në ndeshjen finale që u zhvillua mbrëmë, në stadiumin e Shkollës Fillore në fshatin Bellobrad”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se turneu do të jetë tradicional dhe do të zhvillohet për nder të mërgimtarëve.
“Ky turne do të jetë tradicional dhe do të mbahet çdo vit gjatë kohës së qëndrimit të bashkatdhetarëve në vendlindje, në stadiumin e Shkollës së fshatit Bellobrad”, thuhet në njoftim, ku po ashtu theksohet se kryetari Bexhet Xheladini ka shprehur mirënjohje për të gjitha ekipet pjesëmarrëse, organizatorët, referat, por edhe për publikun sikurse edhe për banorët e fshatit Bellobrad për mikpritjen.