Brenda një jave, Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar dy kontrata një burimorë. Të dy këta tenderë janë për punë shtesë në projekte që kanë nisur, e vlera totale e kontratave shkon në mbi 205 mijë euro.
Në projektin për zgjerimin e rrugës nga Ura e Veternikut deri në hyrje të Graçanicës, kanë dalë punë shtesë. Për këto punë, Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar dje një kontratë të re, të cilën e ka dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.
Vlera e kontratës është 173 mijë e 139 euro, të cilën e ka fituar konsorciumi “K.N.P.SH PAPENBURG & ADRIANI COMPANY SH.P.K”, që e ka edhe kontratën për këtë project nga fillimi.
Sipas dosjes së tenderit të publikuar në e-prokurim, afati për përfundimin e këtyre punëve është 112 ditë.
Punë shtesë u kanë dalë edhe për një projekt tjetër, atë për zgjerimin e rrugës Prishtinës-Podujevë, Lot 5.
Një kontratë, poashtu me negocim, për këtë projekt, është nënshkruar të premten e 25 tetorit.
Vlera e kontratës është 32 mijë e 404 euro.
Me kontratë është shpërblyer “BENI-COM SH.P.K”, që parashihet t’i përfundojë punët për 30 ditë.
Tenderë për punë shtesë janë dhënë edhe për Lot’e tjera të këtij tenderi.