Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > BQK-ja shënon fillimin e aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë

BQK-ja shënon fillimin e aktiviteteve të Javës Ndërkombëtare të Parasë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka hapur Javën Ndërkombëtare të Parasë, aktivitet, i cili tashmë tradicionalisht shënohet në Kosovës.

Para nxënësve të Shkollës së Mesme “Sami Frashëri”, Guvernatori, Fehmi Mehmeti, ka folur rreth rolit të BQK-së në Edukimin Financiar, duke dhënë kontribut në informimin dhe ngritjen e njohurive të qytetarëve, me qëllim të përmirësimit të njohurive të tyre rreth koncepteve ekonomike e financiare, produkteve, shërbimeve që i ofron sektori financiar dhe krijimit të shprehive për të bërë zgjedhje të duhura dhe ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar mirëqenien e tyre financiare.

Sipas Guvernatorit Mehmeti, kjo ndihmon në zvogëlimin e rrezikut të krizave financiare dhe në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.

Në diskutimin e mbajtur në BQK, nxënësit kanë parashtruar pyetje të ndryshme rreth sektorit financiar dhe rolit të BQK-së në ekonominë e Kosovës.

Në hapje të Javës Ndërkombëtare të Parasë, BQK ka shpallur konkurs për Ese me temën e motos së kësaj jave; “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj”, i cili do të qëndroj i hapur deri me 30 prill 2023, ku shtatë Esetë më të mira do t’i fitojnë 7 çmime.

BQK, nga viti 2013 është pjesë e këtij organizimi, i cili udhëhiqet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), e në te cilin marrin pjesë 176 vende të botës dhe planifikohet të marrin pjesë mbi 50 milionë nxënës e të rinj nga shtete të ndryshme të botës.

Gjatë kësaj jave, BQK do të organizoj ligjërata të ndryshme me nxënës të disa komunave të vendit dhe të komuniteteve të ndryshme.

/TV Arbëria

Powered by WordPress