Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > BQK-ja me linjë telefonike pa pagesë për serbët rreth dinarit

BQK-ja me linjë telefonike pa pagesë për serbët rreth dinarit

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka lëshuar në funksion një linjë telefonike pa pagesë, me qëllim të ofrimit të informatave plotësuese për serbët në Kosovë rreth përdorimit të dinarit.

BQK-ja, mes tjerash, rikujton se Rregullorja për operacione për para të gatshme nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara, nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhet nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK-ja, nuk ndalon transferet nga asnjë shtet dhe nuk ndalon posedimin dhe kursimin në asnjë valute jo euro, përfshirë dinarin.

Në njoftim bëhet e ditur se të gjithë individët që kanë qasje në llogari bankare mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në euro, teksa qytetarëve që nuk kanë llogari u është bërë thirrje të hapin një të tillë.

“Qytetarët që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në Llogari Pagese për shërbime bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024. Vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredi dhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore”, thuhet në njoftim.

Tutje, sipas BQK-së numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje.

/TV Arbëria

Themes by WordPress