Shkruan: Afrim Kasolli
Raportimi i të emëruarit për Sekretar shteti, Marco Rubio, para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, e beri të qartë dyshimin e shtetit të tij ndaj rendit aktual ndërkombëtar. Sipas kryediplomatit të ardhshëm të SHBA-ve, ashtu siç e ka potencuar edhe presidenti Trump, Kina vazhdon të mbetet kërcënimi kryesor i interesave amerikane. Dhe nëse vazhdon ky kurs, potencoi Rubio, ne do “të jetojmë në një botë ku shumica e asaj që ka rendësi për ne në përditshmëri, që nga siguria deri të shëndeti ynë, do të varet nga fakti nëse kinezët na lejonë ta kemi apo jo”.
Për më shumë, pohoi Marco Rubio, “rendi global i pasluftës nuk është thjesht i vjetruar; tani është bërë një armë që përdoret kundër nesh”. Prandaj, “vendosja e interesave kryesore kombëtare mbi gjithçka tjetër nuk është izolim politik. Një politikë e jashtme e përqendruar në interesat tona kombëtare nuk është një relikë e vjetëruar,” por në një farë mënyrë armë e domosdoshme në rrethanat në të cilat po katandiset bota.
Këto paralajmërime të Sekretarit të ardhshëm shtetëror, tregojnë qartë se tashmë as Amerika nuk ka interes ta mbrojë botën në të cilën jetojmë, dhe kreatore e së cilës kryesisht ka qenë ajo. Për më shumë, tashmë ky rend i dizajnuar kryesisht nga përpjekje diplomatike ndër dekada të Uashingtonit, ka filluar të perceptohet si armiqësor ndaj interesave të tij.
Në anën tjetër, këtu nuk duhet harruar faktin se armiqësi ndaj këtij rendi ka kohë që kanë manifestuar edhe dy fuqi tjera, si Rusia dhe Kina. Të dy këto shtete e kanë thelluar gjithnjë e më tepër partneritetin e tyre pa limit në funksion të ambicieve revizioniste. Ato e konsiderojnë atë si ombrellë që i shërben interesave hegjomonike amerikane. Intervenimet e mëhershme ushtarake të Putinit në shtete si Gjeorgjia, destabilizimi i brendshëm i Moldavisë, e deri te pushtimi i Ukrainës, janë shprehje e këtij kontestimi global.
Po ashtu, edhe Kina, ndonëse jo deri më tani në këtë mënyrë brutale, është duke vepruar sipas të njëjtave shtytje në Lindje të Largët. Aneksimi i mundshëm i ishullit të Tajvanit dhe zgjerimi i perimetrit të sferës së saj ndikimit në ujërat e Azi Paqësorit, janë vetëm disa nga pretendimet gjeopolitike të Pekinit.
Parametra të tillë dëshmojë se tri nga shtetet më të fuqishme(njëra nga to superfuqi) dhe që kanë përfituar më së shumi nga rendi aktual nuk kanë interes që ta mbrojnë.
Amerika për më shumë se shtatë dekada ka qenë në epiqendër të tij. Dhe nuk mund të mohohen përfitimet e shumë anshme që ka pasur prej tij. Por ngjashëm edhe Kina. Mrekullia e saj ekonomike ka qene e lidhur ekskluzivisht me integrimin brenda këtij rendi. Paraprakisht, kur dominonte vetëm logjik e gllabërimeve territoriale pa kufizime nga e drejta ndërkombëtare, ajo ishte poshtëruar si nga fuqitë evropiane ashtu edhe nga Japonia.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Rusinë. Vetëm gjatë shekullit 20-të, ajo qe poshtëruar nga Japonia ne vitin 1905 dhe dy herë nga Gjermania1914-1918, dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941, por që shpëtoi vetëm fal ndihmës perëndimore. Siguria e saj e plotë u bë e mundur, pikërisht për shkak të këtij rendi të cilin sot mëton ta shkatërrojë.
Përfundimisht, veprime të tilla mund të konsiderohen si kumte shqetësuese për hyrjen graduale në atë që po quhet si “çrregullimi i ri botëror”(New World Disorder). Ku pushtimet territoriale në funksion të mbrojtjes së interesave nacionale do ta karakterizojnë frymën e “anarkisë që po troket”./tvarbëria/