Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Bota që mund të jetë edhe më e errët në 2024

Bota që mund të jetë edhe më e errët në 2024

Shkruan: Afrim Kasolli- Ç’na pret në të ardhmen është pyetja më  “banale” dhe refreni më  i zakonshëm njerëzor që merr peshë specifike veçanërisht në  atmosferën e ndërrimit të motmoteve.

Nga kjo dëshirë e natyrshme marrin jetë që nga parashikimet horoskopit, me anë të të cilit synojmë ta zbulojmë të ardhmen tonë individuale, teorite futorologjike politike, e deri tek mania për “profecite” e Nostradamusit.

Në secilën prej tyre shpresojmë ta zbulojmë, sekretin për atë që e ka rezervuar për ne “providenca” si individualisht ashtu edhe kolektivisht.

Për Hegelin, në dallim nga këto ideosinkrazi shpirtërore, filozofia nuk guxon të  tundohet nga shtysa të tilla profetike. Sepse detyra e saj është vetëm ta mendojë kohën në të cilën vepron, dhe asgjë më shumë. Pra, çdo filozof është fëmijë i kohës së tij.

Në këtë kontekst, është e pamundur të bëhen parashikime për të ardhmen. Po ashtu kur dihet fakti se sidomos sferën e aksionit njerezor, si burimin kryesor të jetës aktive politike e karakterizon fragjiliteti, pa siguria dhe pa paparashikueshmëria.

Megjithatë, ndonëse nuk mund të parashikohet epilogu i tyre, sidoqoftë disa ngjarje që janë rrjedhojë e vitit paraprak do të na shoqërojnë edhe në këtë vit, që sapo kemi hyrë.

Kështu, viti 2024 do të vazhdojë të karakterizohet nga vazhdimi i luftës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, si dhe Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas në Rripin e Gazës.

E të mos flasim këtu për dhjetra konflikte tjera civile. Dhe secili prej tyre vetëm sa do ta përkeqësojë gjithnjë e më tepër ambientin e sigurisë globale. Simptomikisht kohën e fundit sa më tepër janë shtuar kriza të kësaj natyre, aq më shumë janë pakësuar mjetet politike për zgjidhjen e tyre.

Ky disprorcion ka gjasa te reflektohet edhe në disa nga ngjarjet politike që do të zhvillohen në këtë vit. Fillmisht janë zgjedhjet në Rusi. Me këtë rast nuk pritet të ketë befasi. Vladimir Putini pritet t’i fitojë ato për shkak të shkatërrimit të opozitës ruse. Çfarë nënkupton se nuk mund të pritet as ndonjë ndryshim i pozicionit të Moskës në raport me luftën në Ukrainë. Ngase para pak dite udhëheqsi rus e ka bërë të qartë, se ky konflikt nuk do të ndalet pa i realizuar qëllimet e tij.

Një ngjarje tjetër që do ta karakterizojë politikën evropiane janë edhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Ato do të zhvillohen në muajin qershor, nga të cilat edhe do të dalin strukturat e reja drejtuese të Bashkimit Evropian. Duke filluar edhe me vetë Shefin e politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, që është përgjegjës për lehtësimin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edhe kjo ngjarje do të zhvillohet në një klimë të acaruar poltike ndërkombëtare, çfarë mund të ndikojë edhe më shumë në fuqizimin e së djathtës ekstreme, sepse siç shkruante para pak dite gazeta amerikane Washington Post “ndjenjat anti-migrante kanë bërë që e djathta ekstreme t’i fitojë bastionet e liberalizimit social, përfshirë Holandën dhe të formë- sojë debatin në Gjermani,  Itali dhe Brirani.

Në vitin 2024 ajo do të jetë një stimul për zgjedhjet në Evropë. Nën peshën e këtyre kontradiktave po zhvillohet jeta politike në kontinentin e vjetër, apo siç pohoi para pak dite analisti i njohur Timothy Garton Ash, ndërmjet një Evrope liberale dhe asaj populiste. Secila prej tyre do të triumfojë është  e paqartë. Prandaj, viti 2024, do të mbahet mend edhe për kahet që do të marrë historia në vitet shtrihen para nesh.

Mirëpo, situata nuk është më ndryshe as në superfuqinë më të madhe planetare. Këtë vit në atë shtet do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Gara do të jetë e ashpër ndërmjet presidentit aktual Joe Biden dhe ish-presidentit Donald Trump.

Ky i fundit me sloganin e njohur “Amerika e para”  ka vazhduar t’i ushqejë gjithnjë e më shumë sentimentet publike të qytetarëve të zemëruar amerikanë anti-imigracionit duke e imponuar vetën si një kanditat edhe favorit për t’i fituar zgjedhjet.  Hipotetikisht nëse do ta korrte këtë sukses vetëm sa do ta  “legjitimonte” edhe më shumë narracionin e tij se para katër viteve kishte pasur një konspiracion vendor dhe botëror për t’ia vjedhur fitoren popullore.

Të marra së bashku këto kontigjenca politike mund ta prodhojnë një botë politike gjithnjë e më zymtore. Ku ajo që e kemi marrë deri më tani si të sigurt dhe të mirëqenë do të davaritet para syve tanë, per t’i hapur udhë një tjetre të paqartë dhe të panjohur deri më tani.

/TV Arbëria

Themes by WordPress