Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Bota duhet të veprojë për të parandaluar spastrimin etnik të Gazës”, thotë Antonio Guterres

“Bota duhet të veprojë për të parandaluar spastrimin etnik të Gazës”, thotë Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se Izraeli mund të kryejë “spastrimin etnik” të Gazës nëse komuniteti ndërkombëtar nuk përcaktohet për ta parandaluar atë.

Thirrja e Guterres vjen në një kohë kur po rritet numri i viktimave civile nga bombardimet izraelite në Gazën veriore. Një sulm të martën në distriktin Beit Lahiya vrau të paktën 93 persona, në atë që OKB-ja tha se ishte vetëm një nga të paktën shtatë “incidentet e viktimave masive” në të gjithë Gazën gjatë javës së kaluar.

Në të njëjtën kohë, dërgesat e ndihmave në Gaza raportohet të kenë rënë në nivelin e tyre më të ulët që nga fillimi i luftës, duke çuar në rritje të pretendimeve se qëllimi i vërtetë i Izraelit është të dëbojë popullsinë e mbetur palestineze të paktën nga një pjesë e Gazës, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, duke folur në margjinat e konferencës së biodiversitetit COP16 në Kolumbi, sugjeroi se “spastrimi etnik” i Gazës ishte parandaluar deri më tani nga refuzimi i popullit të saj për t’iu nënshtruar presionit të fortë për të ikur nga shtëpitë e tyre dhe nga vendosmëria arabe për të mos pranuar transferime masive të popullsisë.

“Qëllimi mund të jetë që palestinezët të largohen nga Gaza, që të tjerët ta pushtojnë atë”, tha Guterres për Guardian.

“Por ka pasë – dhe unë e përgëzoj guximin dhe qëndrueshmërinë e popullit palestinez dhe vendosmërisë së botës arabe – [një përpjekje] për të shmangur që spastrimi etnik të bëhet realitet”.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i ndihmuar ata të qëndrojnë atje dhe për të shmangur spastrimin etnik që mund të ndodhë nëse nuk ka vendosmëri të fortë nga komuniteti ndërkombëtar”, shtoi ai.

Powered by WordPress