Administrata Federale e Policisë në Bosnje-Hercegovinë është duke e verifikuar informacionin se armët e përdorura më 24 shtator në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, janë siguruar nga Tuzla, qytet në veriperëndim të Bosnjës, ka thënë Vahidin Munjiq, ushtrues detyre i drejtorit të Policisë.
Munjiq ka thënë se dyshimet për transferim të armëve nga Tuzla janë duke u hetuar përmes Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) dhe që Zyra e Prokurorit të Bosnje – Hercegovinës është informuar për gjithçka.
“Ne e kemi marrë informacionin dy ditë më parë, përmes mediave. Ne i kemi kërkuar INTERPOL-it që të na ofrojë informacione nga të gjitha agjencitë tjera, si nga Zyra e Prokurorit të Serbisë. Ne ende jemi në pritje se nuk mund të flasim më shumë”, ka thënë Munjiq.
Më 24 shtator, një grup i armatosur serb e ka vendosur një barrikadë në hyrje të fshatit Banjskë, në veri të Kosovës, dhe më pas e ka sulmuar Policinë e Kosovës.
Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Më 3 tetor, Radoiçiq është marrë në pyetje nga Prokuroria e Lartë Publike e Beogradit.
Prokuroria ka thënë se ai i ka “siguruar armët dhe pajisjet shpërthyese” nga Tuzla, prej janarit të këtij viti deri më 24 shtator.
Xhevad Korman, drejtor i Administratës Policore në Kantonin e Tuzlës, ka thënë se Tuzla është “në aspektin gjeopolitik më e përshtatshmja për një informacion të tillë”.
“Nuk kam ndonjë koment, mirëpo ndoshta është e gjitha pjesë e politikës së dikujt. Ne e dimë shumë mirë, nëse i analizojmë deklaratat e ditëve të fundit, që është vërtetuar se këto armë janë siguruar nga ushtria serbe. Nuk e përjashtoj që kanë ardhur prej kësaj zone, mirëpo dyshoj, sepse janë një numër agjencish që do të mund, apo do të duhej të dinin për këtë gjë”, ka thënë Korman.
Ai e ka përmendur se kjo çështje është kompetencë ekskluzive e Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje, dhe Zyrës së Prokurorit të Bosnje – Hercegovinës, sepse është një “krim ndërshtetëror”.
Zyra e Prokurorit të Lartë në Beograd nuk u është përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse ka të dhëna që armët janë siguruar në Tuzla, dhe kush, potencialisht, i ka ndihmuar Radoiçiqit në transport.
As Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se a ka informacione nëse armët janë transferuar përtej kufirit ndërmjet Serbisë dhe Bosnje – Hercegovinës dhe më tej nga Beogradi në territorin e Kosovës dhe nëse janë duke i hetuar këto pretendime.
Vetëm kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, më 4 tetor, deklaroi se Serbia do t’i “hetojë të gjitha rrethanat, në të cilat ndodhi sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë”.
Berko Zeçeviq, profesor nga Sarajeva në Departamentin e Teknologjive të Mbrojtjes dhe ekspert i balistikës mjeko-ligjore, thotë se i ka analizuar me kujdes të gjitha fotot e armëve të konfiskuara të publikuara nga Policia e Kosovës.
Ai thekson se nga shenjat në armë duket qartë se ato janë prodhuar në fabrika në Serbi.
Në të njëjtën kohë, deklarimin e Prokurorisë së Beogradit se armët janë siguruar nga Bosnje – Hercegovina e cilëson si “një metodë tipike e propagandës gri apo e një lufte hibride, me qëllim ridrejtimin e seriozitetit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në Bosnje”.
“Kjo është një deklaratë e pakuptimtë”, thotë Zeçeviq.
Ai shton se në bazë të shenjave të detyrueshme identifikuese të armëve dhe municionit, është e lehtë të përcaktohet origjina e tyre dhe se menaxhmenti i secilës depo armësh duhet të mbajë shënime të qarta sipas atyre shenjave.
“Pronari i fundit ligjor i granatahedhësit automatik, i cili u konfiskua, është Forcat e Armatosura të Serbisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për raketat manuale 64 milimetra, të ashtuquajturat ‘zolla’. Ato janë riparuar në Serbi në vitin 2017 dhe janë ruajtur në depon e Forcave të Armatosura të Serbisë”, thotë Zeçeviq.
Ai, po ashtu, thotë se tingëllon joreale që ato armë janë transportuar në rajonin e Tuzlas, e më pas në Serbi.
Zeçeviq shton se në atë rast dërgesa duhet të “kontrabandohet” përmes juridiksionit të policisë së dy entiteteve në BeH, policisë kufitare dhe doganave të Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë, dhe më pas njësive speciale të ngarkuara për parandalimin e kalimit të emigrantëve përtej kufirit.
“Atëherë kemi ardhur në pikën që ato armë duhet të vijnë në Beograd, i cili logjikisht mbrohet nga Agjencia Serbe për Sigurinë Informative (BIA). Pse dikush duhet të marrë kaq shumë rreziqe, kur ka depo shumë të mëdha të armëve dhe municionit në Serbi, të cilat janë nxjerrë nga Sllovenia në dekadat e mëparshme, Kroacia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi”, thotë ai.