Shkruan: Arben Fetoshi
Një vizitë politike e kreut fetar, që rikonfirmon qëllimet hegjemoniste të Serbisë dhe Rusisë. Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ankohet te shefi i Kremlinit se “Perëndimi po synon ta shkatërrojë identitetin dhe kulturën serbe”, ndërsa shpreson se do ta tejkalojnë “revolucionin kolor” të orkestruar nga Perëndimi. Si një emisar politik i Vuçiqit, ai e njofton Putinin se presidenti serb do të shkojë më 9 maj në Moskë “pavarësisht situatës në Europë” (Nedjelnik, 23 prill 2025).
Takimi Porfirije-Putin demonstron frontin e koordinuar të politikës pansllaviste, që e përdor kishën si instrument të luftës hibride për ta legjitimuar pushtimin, jo vetëm në Ukrainë. Sipas modelit të njëjtë antifetar të kishës ruse – një zgjatim i makinerisë së vrasjes duke bekuar putinizmin, Porfirije e përforcon boshtin ruso-serb si “shpëtimtar” për vlerat e krishterimit dhe garanci për interesat serbe në raport me Kosovën në OKB.
Ndërsa Vuçiq maovron edhe më tutje me “dy karrige”, duke manipuluar agjendën euro-atlantike siç janë paralajmërimet për ta takuar Presidentin Trump, vizitat e ndërsjella me Brukselin apo pjesëmarrja në samitin e Unionit Politik Europian më 16 maj në Tiranë, Porfirije shpërfaq fytyrën e vërtetë të Serbisë që vazhdon të kujdeset për interesat ruse në Ballkan.
Një superstrukturë hegjemoniste e ngjizur shtet-kishë që sinkronizohet me Rusinë në “botën serbe” kundër Kosovës, Bosnjës e Malit të Zi dhe e minon demokracinë me narrativat kundër NATO-s e Perëndimit si “pushtues”. Pra, kombinimi Vuçiq-Porfirije tregon simbolikisht se Serbia:
Vazhdon të shërbejë si shtet-proxy për interesat ruse në Ballkan;
Nuk e ka ndërmend të harmonizohet me politikën e jashtme të BE-së;
Tenton ta mashtrojë Perëndimin për interesa politike dhe ekonomike;
Përhap dezinformim dhe propagandë që nxisin destabilizim të rajonit.
Kështu, vizita e tij në Moskë dhe takimi me Putinin, ndërsa shefi i tij në Beograd shtiret se vazhdon agjendën perëndimore, nënkupton maskim, balansim dhe orientim strategjik për projektin e “botës serbe” dhe për ndikimin gjeopolitik të Rusisë.