Një borxh mes dy personave që ishin në lidhje dashurie dyshohet se u bë shkas për një sulm të dhunshëm në Vushtrri. Një 43-vjeçare ka përfunduar në QKUK pasi partneri i saj dyshohet se e kishte rrahur me grushte e me një mjet të fortë dhe kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të këmbëve të saj. Ndaj të dyshuarit tashmë është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është A.B.H., rreth 41 vjeç, ndërsa viktima është B.N., rreth 43 vjeçe.
Ngjarja ka ndodhur më 23 nëntor, rreth orës 18:00, kur gruaja kishte kërkuar ndihmën e Policisë, duke denoncuar sulmin nga personi me të cilin ishte në lidhje dashurie.
Për shkak të lëndimeve të pësuara, viktima fillimisht ishte dërguar në Emergjencën e Vushtrrisë dhe më pas ishte transferuar në QKUK, nën përcjelljen e Policisë.
Pas trajtimit mjekësor, 43-vjeçarja kishte rrëfyer para hetuesve se partneri fillimisht e kishte goditur me grushte dhe me një mjet të fortë, por nuk ishte ndalur me kaq.
Sipas rrëfimit të saj, ai kishte shtënë dy herë me armë zjarri, fillimisht në ajër dhe më pas në drejtim të këmbëve të saj.
Viktima ka deklaruar se shkak i gjithë ngjarjes ishte një borxh që i dyshuari kishte ndaj saj.
Pas denoncimit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, Policia kishte bastisur shtëpinë e 41-vjeçarit, ku kishte gjetur tre fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dy karikatorë të zbrazët të armës së gjatë.
Pas intervistimit, i dyshuari ishte ndaluar për 48 orë.
Sinjali mëson se të mërkurën, më 25 nëntor, Gjykata Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri, ka caktuar ndaj 41-vjeçarit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Ndaj tij po zhvillohen hetime për tri vepra penale, “Lëndimi i lehtë trupor”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës”.