Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Borxhet qe po ua hanë komunave buxhetin

Borxhet qe po ua hanë komunave buxhetin

Përgaditi: Afrim Kasolli

Në një kohë kur po afrohen dita ditës zgjedhjet lokale është pritshme që të githë kandidatët për kryetar nga të gjitha subjektet politike ta lëshojnë në qarkullim fontanën e premtimeve politike, se çka do të bënin të njëtit për një mandat katër vjeçar, nëse e marrin mandatin nga qytetarët.

Zotimet për investime kapitale, transformime të qyteteve e fshatrave e deri premtimet për një të ardhme të ndritur thuajse do ta karakterizojnë fjalorin politik të secilit kandidat që garon për këtë pozitë. Por thuajse të gjithë, me ndonjë përjashtim të vogël, janë duke e anashklaur “elefantin në dhomë”, kufizimet buxhetore për t’i jetësuar këto projekte edhe sikur çdo gjë tjetër të ishte në rregull.

Këtu është fjala për “obligimet gjyqësore dhe përmbarimore” me të cilat janë duke u përballur komunat e Kosovës. Rritja e këtyre rasteve po kushtëzohet nga “kontrata kolektive ne arsim, kontrata kolektive në shëndetësi, vendimi i gjykatës kushtetuese për përvojën e punës, si vendimi i Qeverisë së Kosovës i vitit 2008, ku parashihej “gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit fillor dhe të mesëm, përfshirë mësimdhënësit, drejtorët, zëvendësdrejtorët dhe bashkëpunëtorët profesionalë do të kenë rritje të pagave të tyre bazuar në kriteret e kualifikimit”.

Në këtë kontekst si pasojë e këtyre faktorëve, sot buxheti i komunave është duke u “gllabëruar” në masë të madhe nga përmbaruesit dhe vendimet e gjyqësorit.

Instituti GAP në punimin, “Në kërkim të zgjidhjes: Problemet përmbarimore në komuna” ka vënë në pah, se “gjatë vitit 2024, komunat e Kosovës u përballën me një rritje të lartë të shpenzimeve nga obligimet gjyqësore dhe përmbarimore, duke arritur në gjithsej 86.4 milionë euro, që paraqet një dyfishim krahasuar me vitin 2023 dhe trefishim krahasur me vitin 2022. Kjo gjendje ka ndikuar te disa komuna me vështirësi financiare, e në disa raste edhe pamundësi për t’i përmbushur planet e parapara si dhe për t’i kryer obligimet ndaj kreditorëve, furnitorëve, dhe punonjësve”.

Kështu, sipas të njëjti punim, “Shpenzimet përmbarimore janë rritur ndjeshëm në të gjitha komunat, pavarësisht madhësisë së tyre. Në Prishtinë ato u rritën nga 6.2 milionë euro në 2022 në 10.5 milionë në 2024, në Suharekë nga 972 mijë në mbi 4.1 milionë, në Skenderaj nga 183 mijë në 2.4 milionë, dhe në Vushtrri nga 199 mijë në 3.5 milionë euro.”

Për më shumë, situata në disa komuna sot paraqitet jashtëzakonisht e zymtë. Sepse borxhet e tyre e kanë tejkaluar edhe nivelin e të hyrave vetanake. Pra mbijetesa e tyre administrative do të varet nga asistenca e jashtme, sepse nuk mjaftojnë burimet e brendshme. Sipas të dhënave të punimit në fjalë, gjatë “vitit 2024, shumë komuna në Kosovë, si Deçani, Vitia, Kamenica, Shtërpca, Podujeva, Suhareka, Mitrovica e Jugut dhe të tjera, kanë pasur shpenzime përmbarimore më të larta se të hyrat vetanake. Për shembull, Komuna e Deçanit ka mbledhur vetëm 1 milion euro të hyra, por ka paguar 4.3 milionë për përmbarime, apo Komuna e Vitisë që ka mbledhur të hyra në vlerë 1.2 milionë euro, ndërsa ka pasur shpenzime përmbarimore 3.3 milionë euro. Në disa komuna, si në Deçan dhe Kamenicë, këto shpenzime kanë tejkaluar edhe investimet kapitale”.

Mos adresimi i këtij makro-problemi do të tregojë se edhe retorika e sotme e kandidatëve për kryetar të komunave për investime të gjithanshme do të jetë vetëm një fluskë elektorale momentale, pa asnjë efekt tjetër konkret. Natyrisht zgjidhja e saj është detyrë te të gjitha niveleve të pushtetit. Por për aq kohë sa ekziston ajo tregon mbi pamundësitë e pushtetit në nivel lokal. Një gjë është e sigurt se ikja prej kësaj teme nuk i kontribuon zgjidhjes. Përkundrazi, ajo do të vjen duke u rënduar siç është dëshmuar viteve të fundit. /TV Arbëria