Klubi i njohur gjerman Borussia Dortmund ka hyrë zyrtarisht në garë për transferimin e sulmuesit të Kosovës, Fisnik Asllani. Lajmi është raportuar nga gazeta prestigjioze gjermane “Bild”, që shkruan se interesimi i “verdhezinjëve” për 23-vjeçarin është tejet serioz.
Asllani po shkëlqen në formën më të mirë të karrierës së tij me Hoffenheimin. Në 13 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat këtë sezon, ai ka realizuar 6 gola dhe ka dhënë 3 asistime, duke u bërë golashënuesi më i mirë i skuadrës deri tani.
Sipas raportimeve, Dortmundi e sheh Asllanin si kandidatin ideal për të zëvendësuar Serhou Guirassy, i cili pritet të transferohet në një klub të ligës elitare të futbollit arab.
Sulmuesi i qendrës ka një klauzolë lirimi, çka e bën të mundshëm largimin e tij në afatin e verës së ardhshme. Kontrata e tij me Hoffenheimin është e vlefshme deri në vitin 2029.
Interesimi për Asllanin nuk vjen vetëm nga Dortmundi – për të po raportohet lidhje edhe me Bayern Munich dhe Barcelona, duke e bërë atë një nga sulmuesit më të kërkuar aktualisht në Bundesligë.