Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, gjatë ditës së sotme dhe të premten do të qëndrojë në Austri, ku do të marrë pjesë në disa ngjarje, takime dhe diskutime për marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, të enjten Borrelli do të takohet me autoritetet austriake, duke përfshirë presidentin Alexander van der Bellen dhe ministrin e Jashtëm austriak Alexander Schallenberg, raporton Klankosova.tv.
Të premten, Përfaqësuesi i Lartë do të zhvendoset në Wachau për Forumin vjetor Evropa, ku do të marrë çmimin Dr. Alois Mock Europe.
Gjatë Forumit, ai do të marrë pjesë në sesione pune dhe diskutime me ministrat e jashtëm të BE-së, të cilët janë pjesë e nismës “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, si dhe me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të “think tanke”-ve dhe organizatave të shoqërisë civile.
“Ata do të shkëmbejnë për bashkëpunimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në politikën e jashtme dhe të sigurisë, si dhe zgjerimin e BE-së”, thuhet në njoftim.
Gjatë gjithë ditës, Borrelli do të zhvillojë gjithashtu një sërë takimesh dypalëshe me përfaqësues nga Ballkani Perëndimor.