Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia të pranojnë propozimin evropian, si rrugë për normalizim të marrëdhënieve.
Borrell për “Deutche Welle” është shprehur se i ka ftuar në takim për 27 shkurt, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Jam takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Do të takohem me të dy në Bruksel më 27 shkurt, po i kam ftuar për të pasur një ditë të plotë diskutime. Është një propozim në tryezë. Shpresoj që ata të jenë në gjendje ta pranojnë këtë propozim si rrugë për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre”, është shprehur Borrell.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti, dje, në kuadër të Konferencës së Mynihut, ka zhvilluar takim edhe me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Në takim është diskutuar për procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia. Po ashtu, është folur edhe për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian.
/TV Arbëria