Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përfaqësues shtetërorë të Kosovës kanë zhvilluar një numër takimesh. Në New York, presidentja Osmani u takua me presidentin e SHBA-së, Joe Biden dhe liderë të tjerë botërorë. Osmani zhvilloi takim edhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor ka theksuar nevojën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese.
Presidentja Vjosa Osmani është takuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara (ShBA), Joe Biden dhe liderë të tjerë botërorë, gjatë pjesëmarrjes në samitin e radhës për Ukrainën, që është organizuar në New York, ku po i zhvillon punimet sesioni i 79-të i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
“E nderuar me ftesën e Shtëpisë së Bardhë që t’i bashkohem liderëve të tjerë botërorë në samitin e radhës për Ukrainën, i cili kësaj radhe u mbajt në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara”, ka shkruar presidentja në Facebook.
Ajo është takuar edhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, në kuadër të takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Teksa presidenca nuk ka ndarë detaje nga ky takim, Borrell ka theksuar nevojën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese.
“Rritja e ndikimit keqdashës që minon përpjekjet për reforma në rajon tregon se ne duhet të bashkëpunojmë edhe më ngushtë. Së bashku, ne do të krijojmë një BE më të sigurt dhe më të begatë. Udhëheqësit duhet të marrin vendime të guximshme dhe strategjike për t’i çuar përpara aspiratat e tyre evropiane”, ka theksuar Borrell.
E emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka mirëpritur takimin.
“I vlerësoj shkëmbimet e hapura dhe të sinqerta gjatë drekës sonë tradicionale të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me liderët e rajonit”, shkroi Lajçak, duke shpërndarë postimin e Borrellit që njoftoi për takimin.
Në kuadër të vizitës në New York, presidentja Osmani ka pasur takime të shumta me liderë të shteteve të ndryshme, përfshirë edhe me ndihmës-sekretaren amerikane, Dafna H. Rand, me të cilën ka diskutuar edhe për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Serbia.
Ajo është takuar edhe me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien.
“Takimi i radhës me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien, për të diskutuar për thellimin më tutje të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, si dhe ndërmarrjen e hapave që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, integrimit euroatlantik të vendit tonë, si dhe paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”, ka shkruar presidentja Osmani.
E nga e mërkura vizitën në New York e ka nisur edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai ka njoftuar se e ka takuar kryeministrin e Finlandës e atë të Litenshtajnit, drejtoren menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe princin e kurorës të Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled Al-Sabah.
Sipas njoftimeve nga kryeministria, temë diskutimi në këto takime ishte fuqizimi i mëtejmë i marrëdhënieve bilaterale dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit e rritjes së investimeve. /KOHA