Shkruan: Afrim Kasolli
Për sot ishte caktuar vazhdimi i serisë së 42 i konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, befas dhe në mënyrë urgjente deputetët e këtij institucioni janë detyruar të largohen nga salla e mbledhjeve dhe hapësirat e brendshme në përtgjithësi nga Policia e Kosovës. Kjo e fundit ka deklaruar se bëhet fjalë një bombë. Dhe se kërcënimi ka ardhur nëpërmjet telefonit. Një gjë të tillë pak a shumë e kishin deklaruar edhe deputetet.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka pohuar se bëhet fjalë për një “kërcënim të qartë”. Ngjashëm është shprehur edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri. Ai ka shtuar se u janë “dhënë udhëzime të dalin [nga ndërtesa], sepse ka një kërcënim me gjasë. Nuk e dimë çka po ndodh dhe na kërkuan të dalim. Policia na tha për çështje të sigurisë”.
Nuk ka dyshim, se organet e rendit dhe të sigurisë në fund do ta thonë fjalën përfundimtare. Mbetet të shihet se çka do të nxjerrin në dritë hetimet. Se a është fjala për ndonjë alarm të rremë, apo bëhet fjalë me të vërtetë për një kërcënim serioz.
Sidoqoftë, një gjë nuk mund të mohohet. Se ky institucion është nga më të monitoruarit dhe të vëzhguarit, çoftë nga kamerat e sigurisë apo edhe prezenca e pjesëtarëve të sigurimit në pikat kyçe të ndërtesës. Prandaj është ende e paqartë se a është fjala për vendosjen e një materiali shpërthyes brenda institucionit apo në afërsi të tij.
Gjithsesi një alarm i tillë për sigurinë po vjen në një kohe tejet të tensionuar politike. Kur partia fituese e zgjedhjeve edhe pas 41 tentimeve nuk ia ka dalur ta zgjedh kryetar/en, e Kuvendit, për shkak të kundërshtimit të partive “opozitare” lidhur me nomiminin e Albulena Haxhiut.
Ndërkohë, ditë më parë, Gjykata Kushtetuese, nëpërmjet aktgjykimit Ko124/25 ua ka bërë të dituar deputeteve të Kuvendit se duhet që na afat prej 30 ditës ta kompletojnë konstituimin e këtij organi. Dhe se sipas këtij aktvendimi “propozimi i kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, dhe si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm. Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe se detyrimi për bashkëpunim konstruktiv në mirëbesim,që buron nga vetë neni 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetareve] i Kushtetutës, njëkohësisht ndërlidhet ngushtë edhe me detyrimin e përcaktuar në nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, sipas të cilit,deputetët e Kuvendit ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit”.
Në këtë klimë të polarizuar kur ekziston rreziku real që shpërfillet edhe ky detyrim kushtetues, dhe që Kosova për herë të parë të futet edhe në një krizë të pa precedent juridike dhe kushtetuese, shteti tashme ka filluar të përballet edhe me kërcënime e alarme për “bomba të kurdisura politike” në Kuvend. /TV Arbëria