Hisen Berisha
(Kosova nuk ka krizë kushtetuese, por krizë të përgjegjësisë politike.)
Kosova po kalon një periudhë të bllokadës institucionale që nuk buron nga mungesa e zgjidhjeve kushtetuese, por nga mungesa e vullnetit politik për t’i shërbyer interesit shtetëror. Konstituimi i Kuvendit nuk është një formalitet procedural. Ai është kushti themelor për funksionalizimin e institucioneve dhe rikthimin e normalitetit kushtetues.
Rezultati i zgjedhjeve nuk prodhoi një shumicë të qartë qeverisëse. Kjo e bën kompromisin politik jo vetëm të nevojshëm, por edhe detyrim ndaj qytetarëve dhe shtetit. Çdo vonesë në konstituimin e institucioneve e dëmton besimin e qytetarëve, dobëson kapacitetin vendimmarrës të shtetit dhe krijon pasiguri në një kohë kur Kosova përballet me sfida të rëndësishme të sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe integrimit euroatlantik.
Në të njëjtën kohë, status quo-ja institucionale nuk është neutrale. Ajo u shërben interesave strategjike të Serbisë, e cila ndërkohë avancon objektivat e saj politike e integruese, duke mbajtur gjallë pretendimet kushtetuese ndaj Kosovës dhe duke kërkuar ta trajtojë atë si pjesë të rendit të saj kushtetues. Po kështu, kjo gjendje i konvenon edhe interesave strategjike të Rusisë, e cila, sipas vlerësimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit, synon ta ruajë dhe ta zgjerojë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor përmes Serbisë, si instrument i politikës së saj rajonale, duke krijuar hapësirë dhe kohë për realizimin e objektivave të saj më të gjera gjeostrategjike. Për këtë arsye, zvarritja e krizës institucionale në Kosovë nuk është vetëm problem i brendshëm politik, por edhe çështje me implikime të drejtpërdrejta gjeopolitike.
Kam qenë i qartë dhe konsekuent në qëndrimet e mia se bashkëqeverisja me Albin Kurtin do të nënkuptonte mbështetje për një kurs politik që, sipas bindjes sime, ka prodhuar përplasje institucionale, ka cenuar funksionalitetin kushtetues dhe ka vënë në pikëpyetje koordinimin strategjik të Republikës së Kosovës me partnerët e saj ndërkombëtarë. Ky qëndrim nuk ka ndryshuar.
Megjithatë, ky qëndrim nuk duhet të interpretohet si arsyetim për vazhdimin e bllokadës institucionale. Përkundrazi. Pikërisht sepse kam paralajmëruar për rreziqet e këtij kursi politik, konsideroj se zgjidhja duhet të kërkohet përmes një marrëveshjeje politike që i jep fund krizës, rikthen funksionalitetin e institucioneve dhe krijon një shumicë që garanton stabilitet kushtetues, përgjegjësi shtetërore dhe orientim të qartë euroatlantik.
Kosova nuk ka luksin të mbetet e bllokuar. Ajo duhet t’i mbyllë temat e hapura me Serbinë në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj, për t’iu përkushtuar rrugës përpara: shtetndërtimit, forcimit të sigurisë, zhvillimit ekonomik, integrimit euroatlantik dhe thellimit të partneritetit strategjik politik, ushtarak dhe të sigurisë me SHBA-në dhe aleatët e saj.
Sot nuk ka nevojë për fitore partiake, por për përgjegjësi shtetërore. Kosova nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve politike. Çdo subjekt duhet të marrë përgjegjësinë që i takon për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje dhe për t’u dhënë qytetarëve institucione funksionale.
Në këtë fazë, zgjidhja nuk është juridike, por politike. Ajo kërkon lidership, kulturë kompromisi dhe vendosjen e interesit të shtetit mbi interesat e ngushta partiake. Vetëm kështu mund të shmanget thellimi i krizës, të pengohen përfitimet strategjike të aktorëve që e shohin Kosovën të dobësuar institucionalisht dhe të ruhet stabiliteti demokratik, kushtetues dhe strategjik i Republikës së Kosovës.