Një autokolonë diplomatike amerikane u sulmua në Sudan të hënën, por askush nuk u lëndua, informoi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Ky veprim ishte i pamatur, ishte i papërgjegjshëm dhe sigurisht i pasigurt”, u tha ai gazetarëve në Japoni pas bisedimeve të G7.
Sudani është përfshirë prej ditësh nga luftimet vdekjeprurëse midis forcave rivale, shkruan BBC.
Më herët, u raportua se ambasadori i BE-së në Sudan, Aidan O’Hara u sulmua në shtëpinë e tij në kryeqytetin Khartoum.
Rreth 185 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 1,800 janë plagosur gjatë tri ditëve luftime në Sudan, sipas OKB-së.
Si ushtria ashtu edhe një grup paraushtarak i quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) pretendojnë se kontrollojnë vendet kryesore në Khartoum, ku banorët janë strehuar nga shpërthimet.
Ministri i Jashtëm irlandez, Micheal Martin konfirmoi se ambasdori O’Hara nuk u plagos rëndë.
Ai e përshkroi sulmin si një “shkelje të rëndë të detyrimeve për të mbrojtur diplomatët”.
Martin e përshkroi ambasadorin si një “diplomat të shquar irlandez dhe evropian që po i shërben BE-së në rrethanat më të vështira”.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kirby tha se aktualisht nuk ka plane për të evakuuar personelin amerikan, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme të sigurisë dhe mbylljes së aeroportit të Khartoum, por ai u bëri thirrje të gjithë amerikanëve që ta trajtojnë situatën “me seriozitetin më të madh”.
Konflikti ka detyruar shumë civilë të strehohen në shtëpitë e tyre pas frikës se konflikti i zgjatur që mund ta çojë vendin në krizë më të thellë.
Luftimet zhvillohen midis njësive të ushtrisë besnike ndaj liderit de facto, gjeneralit Abdel Fattah al-Burhan dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, grupit famëkeq paramilitar të komanduar nga zëvendëslideri i Sudanit, Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti.
/TV Arbëria