Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Blinken faktorizon Shqipërinë

Blinken faktorizon Shqipërinë

Shkruan: Agron Hoti – Vizita e Blinkenit në Tiranë, përpos që do ta faktorizojë edhe më tej Shqipërinë e lënë anash nga BE, do t’i japë asaj edhe shtysë ekonomike zhvillimore, ashtu sikundër që do ta rrisë sigurinë e Shqipërisë dhe rajonit në një kohë kur Rusia po mundohet që me çdo kusht të ndezë një konflikt të dytë në Evropë krahas atij në Ukrainë për ta shpërqendruar kështu SHBA-në që të mos përpiqet për shtyrjen e kufijve të NATO-s drejt lindjes dhe sa më afër kufirit rus.

Kur Kosova dhe Serbia patën nënshkruar Marrëveshjen e shtatorit 2020 midis Shtëpisë së Bardhë për normalizim ekonomik marrëdhëniesh, përfituese e madhe ishte dhe Shqipëria. Pas kësaj Marrëveshjeje Shqipëria i tha “po” energjisë amerikane e “jo” asaj ruse, i tha “po” teknologjisë amerikane e “jo” asaj kineze. Kosova mjerisht e pati refuzuar këtë Marrëveshje, e cila krahas dimensionit ekonomik dhe zhbllokimit të njohjeve përmes njohjes së Kosovës nga Izraeli, kishte dy pika kryesore jetike për SHBA: parandalimin e energjisë ruse dhe teknologjisë kineze, pika këto që rrezikojnë drejtëpërdrejtë sigurinë e Perëndimit.

Projektimi i ndërtimit të Portit të Durrësit (cargo dhe lux) në vlerë mbi 4 miliardë EUR me hekurudhën Durrës-Prishtinë përbëjnë ndihmën më të madhe vëllazërore që Shqipëria mund t’i bënte Kosovës krahas Rrugës së Kombit.

Shqipëria sot po projekton të lidhet me hekurudhë, autostradë e gaz me Malin e Zi, me hekurudhë e gaz me Kosovë, me autostradë e hekurudhë me Maqedoni, me autostradë e hekurudhë me Greqi, me Portin e Durrësit dhe me 4 aeroporte me tërë botën, me një fjalë Shqipëria gradualisht po bëhet një bazen zhvillimor i Ballkanit Perëndimor.

Nëse shpimet e Shellit konfirmojnë rezervat e naftës në Berat dhe jo vetëm, atëherë Shqipëria do të bëjë kapërcimin e madh historik duke u bërë kështu qendër shpërndarjeje energjie në rajon dhe Evropë.

Të gjitha këto projekte e projeksione të Shqipërisë do të ishin të pamundura pa ndihmën amerikane. Pa ndihmën amerikane Shqipërisë s’do t’i hapeshin as negociatat për anëtarësim në BE. Sepse nuk mund të integrohesh në BE dhe në asnjë mekanizëm tjetër ndërkombëtar pa e pasur mbështetjen amerikane, kjo sepse është SHBA që ka bërë BE-në e jo e kundërta. E Kosova si duket ende s’e ka kuptuar këtë fakt.

/TV Arbëria

Themes by WordPress