Reperja e parë femër në Kosovë, Blerta Zeqiri, njëherësh edhe drejtoresha e Kinematografisë së Kosovës, është e ftuara për këtë javë në “Pa Titull”.
Ajo, në intervistë, ka dhënë detaje të reja për kohën kur bënte muzikë, duke treguar se si e formuan grupin BAM.
“BAM, kemi qenë tri shoqe: Blerta, Anila, Mimosa. BAM, kemi filluar me bërë muzikë për qejf në shtëpi. Unë zakonisht i kam shkruar tekstet, Mimoza ka qenë ajo që i ka kënduar këngët, sepse ka pasur një zë shumë të bukur. Ajo, edhe sot, është këngëtare, jeton në Kanadë dhe bën muzikë. Është e vetmja që ka vazhduar me muzikë,” ka thënë ajo.
Ndër të tjera, ajo tregon se a ka pasur ndonjëherë frikë për hapat që po i ndërmerr në muzikë.
“Askund nuk kam menduar që mund të frikohem për diçka që po bëj, sepse kam pasur përkrahjen e pakusht të familjes. Kur e ke atë përkrahje në familje, nuk të shkon ndërmend të mendosh ndryshe për të tjerët. Por e kemi pasur fatin që pëlqeheshim, dilnim me grupe të mëdha në skenë, me valltarë, kështu që ka qenë eksperiencë shumë e mirë,” ka thënë ajo.
Zeqiri ka treguar se si grupi doli për herë të parë në skenë në vitin 1995, si dhe thekson se të gjitha inxhinierimet kanë humbur pasi që në atë kohë ndodhi lufta në Kosovë.
“Ne e kemi filluar kështu, për qejf, vetëm për t’u mbledhur si band. Në vitin ’92, dhe në ’95 kemi dalë për herë të parë në skenë.
Por para se të dilnim në skenë, e kishim përfunduar inxhinierimin e një albumi, të cilin në vitin ’94 e kishim kryer dhe kishim bërë edhe një promovim në Suharekë. Por ato sende kanë humbur tani, sepse lufta i ka humbur, nuk janë më,” ka thënë ajo.