Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Blerja e raketave “Javelin”/ Lekaj: Kjo punë është nisur me nënshkrimin e Ramush Haradinaj

Blerja e raketave “Javelin”/ Lekaj: Kjo punë është nisur me nënshkrimin e Ramush Haradinaj

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë se blerja e raketave “Javelin”, është një lajm i rëndësishëm për shtetin e Kosovës dhe sigurinë në vend.

Lekaj në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se i jemi falenderues ndaj ShBA-ve dhe fuqive ndërkombëtare për blerjen e këtij armatimi.

“Blerja e raketave Javelin është lajm dhe momentum i rëndësishëm për shtetin e Kosovës dhe sigurinë e vendit. Ne si shtet jemi falënderues ndaj ShBA-ve dhe fuqive ndërkombëtare për mbështetjen e vazhdueshme, e specifikisht për blerjen e fundit të këtij armatimi”, tha Lekaj për Gazeta Blic.

Tutje, ai thotë se të gjithë ish-vendimarrësit e politikës, në forma të ndryshme kanë meritat e tyre.

“Të gjithë ish vendimarrësit e politikës dhe ata që janë aktiv në procesin e politikëbërjes, në forma të ndryshme kanë meritë për ndryshimet dhe benefitet shtetërore në fushën e sigurisë, ekonomisë, shëndetësisë, arsimit, etj”, u shpreh ai.

Deputeti thotë se ideja për blerjen e raketave “Javelin”, është bërë gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj, dhe se kjo punë është nisur me nënshkrimin e tij.

“Por, nëse ndalemi me saktësi tek tema mbi raketat “Javelin”, lirisht mund të themi që është ide dhe projekt i sigurisë i bërë në Qeverinë ku Kryeministër ishte z.Haradinaj, dhe kjo punë është nisur me nënshkrimin e tij”, shtoi Lekaj.

Lekaj thotë se AAK-ja do ta mbështes Qeverinë në çdo projekt që ka për qëllim forcimin e Kosovën.