Blerina Abrazhda me prejardhje nga Kosova është emëruar dje si zëvendësministre e Mbrojtjes në Shqipëri.
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, përmes një postimi në Facebook njoftoi se Abrazhda i bashkohet ekipit të Ministrisë së Mbrojtjes si zëvendësministre, duke sjellë me vete eksperiencën dhe përkushtimin në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare.
“Znj. Blerina Abrazhda i bashkohet ekipit të Ministrisë së Mbrojtjes si zëvendësministre, duke sjellë me vete eksperiencën dhe përkushtimin në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare”, thuhet në njoftim.
Kush është Blerina Abrazhda?
Blerina Abrazhda ka një karrierë të shquar në sektorin e mbrojtjes dhe industrinë e sigurisë. Para këtij emërimi, ajo ka mbajtur postin e Drejtores Rajonale për Zhvillimin e Biznesit në Lindjen e Mesme për Lockheed Martin, një nga kompanitë më të mëdha në botë në fushën e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore.
Në këtë rol, ajo raportonte drejtpërdrejt te Gjeneral John W. Nicholson, Shefi Ekzekutiv për Lindjen e Mesme në Lockheed Martin Global Inc. Ajo ishte e angazhuar në përfaqësimin e kompanisë dhe ndihmën për gjetjen e produkteve dhe zgjidhjeve më të mira për sigurinë kombëtare të klientëve dhe aleatëve të kompanisë.
Abrazhda vjen nga një familje e njohur, me origjinë nga Mitrovica. Babai i saj, Shefqet Abrazhda, ishte një piktor i shquar dhe ish-drejtor i Galerisë së Arteve.
Duke pasur një përvojë të gjerë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe industrinë e mbrojtjes, pritet që Abrazhda të sjellë një qasje strategjike dhe një fokus më të madh në bashkëpunimet me aleatët ndërkombëtarë dhe kompanitë e teknologjisë së mbrojtjes.