Gazetari Zejdush Kastrati ka publikuar një rrëfim të gjatë lidhur me një ngjarje që, sipas tij, ka ndodhur në vitin 2004, kur punonte në një televizion rajonal në Gjilan.
Sipas Kastratit, ai kishte siguruar përmes një zyrtari ndërkombëtar të Policisë së UNMIK-ut një dosje hetimore që përmbante dyshime për një aferë të madhe korruptive në Komunën e Gjilanit. Ai pretendon se në dosje përmendeshin zyrtarë komunalë të asaj kohe, përfshirë edhe kryetarin e atëhershëm të komunës, Lutfi Haziri, si dhe zyrtarë të tjerë dhe kompani private.
Kastrati thotë se fillimisht kishte tentuar ta publikonte materialin në gazetat “Lajm” dhe “Koha Ditore”, por pa sukses. Më pas, sipas tij, kishte arritur marrëveshje me gazetën “Zëri” dhe kryeredaktorin e atëhershëm, Blerim Shala, për botimin e dosjes në disa vazhdime.
Ai pretendon se vetëm pak ditë para publikimit të planifikuar, televizioni ku punonte u bastis nga pjesëtarë të Policisë së UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës, të cilët konfiskuan pajisje dhe materiale pune. Sipas Kastratit, bastisja u krye pa urdhër gjyqësor dhe kishte për qëllim gjetjen e dosjes në fjalë.
Në rrëfimin e tij, Kastrati pohon se refuzoi t’ua dorëzonte dosjen hetuesve të UNMIK-ut, duke shtuar se ishte kërcënuar edhe me arrestim. Ai thekson se rasti kishte nxitur reagime nga institucione dhe organizata që merreshin me lirinë e medias.
Më tej, ai pretendon se marrëveshja për botimin e dosjes në gazetën “Zëri” u anulua dy ditë pas bastisjes, me arsyetimin se nuk kishte mjete për kompensim financiar.