Blerim Nika ka ndarë një rrëfim emocional për një grua nga Rugova, e cila tregon se si një amanet i lënë nga gjyshja dhe një letër e stërgjyshit e shtynë të hulumtojë historinë e familjes së saj.
Sipas rrëfimit, pas vdekjes së gjyshes, ajo gjeti në një sandëk fotografi të vjetra, një libër në gjuhën shqipe, një rruzare të thyer dhe një letër, ku stërgjyshi kishte shkruar se rrënjët e familjes kishin qenë katolike, duke kërkuar që pasardhësit të mos harronin historinë e tyre, pa ushqyer urrejtje ndaj askujt.
Gruaja tregon se, pas kërkimeve në dokumente dhe libra, së bashku me bashkëshortin vendosën të njihnin më thellë historinë e familjeve të tyre. Ajo thekson se askush nuk i detyroi apo i bindi, por se vendimi erdhi nga dëshira për të njohur të kaluarën dhe për të ruajtur kujtesën e të parëve.
Në fund të rrëfimit, ajo bën të ditur se familja e saj është duke u përgatitur për pagëzim, duke e cilësuar këtë si një premtim ndaj gjyshes, stërgjyshit dhe brezave që do të vijnë.