Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Blerim Latifi: Policitë politike janë mburoja e parë e regjimeve totalitare

Blerim Latifi: Policitë politike janë mburoja e parë e regjimeve totalitare

Regjimet totalitare nuk mbështeten vetëm në forcat e rregullta shtetërore për të ushtruar shtypjen mbi popullatën. Për të qenë sa më efektive në kontrollin e shoqërisë, ato krijojnë formacione paramilitare me autorizim për të përdorur dhunën dhe terrorin kundër çdo kundërshtimi.

Sipas filozofit dhe analistit politik Blerim Latifi, historia e regjimeve ideologjike e dëshmon qartë këtë model. Bolshevikët, menjëherë pasi morën pushtetin në Rusi, krijuan policinë politike NKVD, një aparat represiv që arrestonte, përndiqte dhe vriste pa gjyq secilin që konsiderohej kundërshtar i regjimit leninist. Nga kjo makineri represive lindi edhe sistemi famëkeq i kampeve të punës, i njohur si Gulag.

Një model të ngjashëm ndoqi edhe Adolf Hitler, i cili krijoi trupat SS, një strukturë e specializuar për terrorizimin e kundërshtarëve politikë dhe për zbatimin e politikave raciste të regjimit nazist. SS luajti rol kyç në realizimin e Holokaustit dhe në administrimin e terrorit në territoret e pushtuara.

Në Ballkan, sipas Latifit, edhe regjimi i Slobodan Millosheviqit realizoi krimet më të mëdha përmes njësive paramilitare, të cilat u përdorën për të ushtruar dhunë dhe spastrime etnike gjatë luftërave të viteve ’90.

Një strukturë e ngjashme ekziston edhe në Iran. Regjimi i ajatollahëve krijoi formacionin paramilitar Basij, i cili ka pasur rol qendror në ruajtjen e kontrollit të regjimit mbi shoqërinë iraniane. Ky formacion është përdorur vazhdimisht për shtypjen e protestave dhe për ndëshkimin e kundërshtarëve të pushtetit.

Sipas raportimeve të fundit, qytetarë iranianë po përdorin rrjetet sociale për të shpërndarë informacione mbi pozicionet e Basij, të cilat më pas pretendohet se janë goditur nga forcat amerikane dhe izraelite.

Në analizën e tij, Latifi thekson se policitë politike janë ndër produktet më monstruoze të revolucioneve ideokratike. Ato funksionojnë si mburoja e parë dhe e fundit e regjimeve totalitare që lindin nga këto revolucione.

“Janë pikërisht ato që mbajnë në këmbë sistemin e frikës dhe terrorit mbi të cilin ndërtohen këto regjime”, shkruan Latifi, duke bërë edhe një krahasim simbolik me romanin alegorik Animal FarmGeorge Orwell, ku qentë e derrave shërbejnë si instrumenti i dhunës për të mbajtur pushtetin absolut.