Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Bizneset e terminalit që menaxhohet nga shteti ankohen për mungesë të rrymës

Bizneset e terminalit që menaxhohet nga shteti ankohen për mungesë të rrymës

Agjencitë të cilat operojnë në terminalin doganor në Han të Elezit, po ankohen se tash e një muaj janë duke u përballur me mungesë të energjisë elektrike. Ky terminal doganor ka kaluar tashmë në menaxhim të institucioneve të Kosovës, pasi qeveria shpronësoi disa nga pronat e këtij terminali. Bizneset thonë se do të ndërpresin punën në këtë terminal nëse nuk merren masa.

As ky gjenerator, shumicën e kohës nuk po kryen punë për t’i furnizuar me energji elektrike rreth 50 bizneset që operojnë në terminalin doganor në Han të Elezit.

Sipas përfaqësuesve të bizneseve këtu, tash e një muaj janë duke u përballur me mungesë të energjisë elektrike, cka po u shkakton probleme të shumta.

“Tash nuk funksionon asgjë, rrym nuk kemi hapsirë të kontrollit nuk kemi, problemet me rrymë qaq shumë krijojnë probleme jo vetëm neve edhe doganës ne jemi pjesë e doganës, edhe AUVK janë këtu edhe që kanë këtu gjatë prcocesimit të lëndëve që bëhen, sepse nalet rryma edhe shkaktohet problem jashtëzakonisht i madhë”, ka deklaruar Xhevdet Ramuka – Përfaqësues i agjencive.

Ky terminal doganor, deri këtë vit, ishte pronë e një kompanie private, derisa tashmë një pjesë e pronave janë shpronsuar nga qeveria e Kosovës dhe kanë kaluar në menaxhim tek Dogana e Kosovës.

Qeveria nuk ka shpronsuar ende pjesën që shërbente për kontrollimin e mallin.

“Ne i kemi këto telashe sic është rryma po na shkakton psh kosto shtesë, kur kamionat po hasin në kanalin e kuq, kushte të kontrollit nuk kemi, momentin që kamioni del në kanalin e kuq, duhet me bart nga një terminal në tjetrin, që është kosto shtesë për vozitësat për palët dhe neve.. “, ka deklaruar Nehat Daci – Agjent doganor.

Bizneset që operojë këtu paralajmërojnë ndërprejen e punës në këtë terminal doganor, nëse gjendja nuk ndryshon.

“Ne jemi të kërcënuar edhe prej doganës që nëse nuk i bëjmë lajmërimet me kohë na dënohemi, na kushte skemi me i bë lajmërimet ne duhet me marr masa prej anës tonë, besoj që duhet me marr masa që me i ndëpre me i ndal kamionat mos e ardhë këtu, edhe pse është e rëndë, por nëse nuk kemi kushte..”, ka theksuar Isa Shiti – Agjent doganor.

Ndërsa nga KEDS kanë thënë se ky terminal, ka shtuar aktivitetin në objekete pa e rritur kapacitetin energjetik.

“Ju informojmë se terminali doganor ka njehsor elektrik, megjithatë me gjasë e kanë rritur kapacitetin e tyre, gjë që është arsyeja pse po kanë probleme. Përvec kësaj, ky terminal doganor ka filluar aktivitetin në objektet e reja pa rritur kapacitetin. Ky institucion ka aplikuar për rritje të fuqisë-kapacitetit dhe është në proces të Pëlqimit Elektroenergjetik. Edhe para një muaji, KEDS-i i ka ndihmuar këtij terminali, dhe prapë do të shohë nëse mund t’i ndihmojë deri sa të bëhet rritja e kapacitetit”, thuhet nga KEDS-i.

Nga Dogana e Kosovës, nuk kanë kthyer përgjigje nëse kanë adresuar problemet me të cilat po ballafaqohen./Indeksonline