Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.
Zvicra është shtet mik dhe ndër më përkrahëset e Republikës së Kosovës, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar, thuhet mes tjerash në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
U riafirmua mbështetja e fuqishme ndaj Qeverisë në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit, në sundim të ligjit, zhvillim të demokracisë dhe qeverisjen e mirë.
Në takim tema diskutimi ishin dhe aplikimet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.
Teksa zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe mbi prioritetet e Qeverisë gjatë këtij viti, u ritheksua dhe përkrahja e vazhdueshme e shtetit të Zvicrës ndaj Kosovës në agjendën zhvillimore dhe përmes projekteve për vitet 2022-2025, ku investon në sektorët si demokracia, qeverisja e mirë dhe paqja, zhvillimi ekonomik, ndryshimet klimatike, sektori i ujërave e shëndetësia në shumën totale prej 83 milionë franga zvicerane.