Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Bislimi takohet me Raportuesin për Kosovë në Parlamentin Evropian, ZKM jep detaje

Bislimi takohet me Raportuesin për Kosovë në Parlamentin Evropian, ZKM jep detaje

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është takuar sot me Raportuesin për Kosovë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Torres.

Në njoftimin e ZKM’së thuhet se Bislimi e falenderoi Parlamentin Evropian për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, si në procesin e liberalizimit të vizave si dhe rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ata kanë folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Zëvendëskryeministri Bislimi nënvizoi rëndësinë e avancimit të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së dhe trajtimit serioz dhe meritor të aplikimit të Kosovës të dhjetorit të vitit 2022.

Në takim u diskutua dhe rreth sfidave dhe perspektivës në këtë proces, potenciali i Kosovës për progres dhe zhvillim, angazhimi në Planin e Rritjes si dhe procesi i dialogut”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti Raportuesin për Kosovë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras.

Fillimisht, zëvendëskryeministri e uroi eurodeputetin për pozitën e tij të re si dhe e falënderoi Parlamentin Evropian për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, si në procesin e liberalizimit të vizave, progresit dhe avancimit të Kosovës si dhe rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Më tej, theksoi arritjet e qeverisë përgjatë këtij mandati, nga progresi demokratik e rritja ekonomike, deri te avancimi me zbatimin e reformave në procesin e integrimit evropian. Ai tha se ERA II arriti një shkallë zbatimi prej 72% nga 45% sa ishte në qeverisjet e kaluara, ndërsa në Programin Kombëtar për Integrim Evropian, niveli i zbatueshmërisë së reformave vitin e kaluar arriti në 66.12%, duke përfshirë dhe shumë reforma të papërmbushura me vite me radhë e që gjetën epilog gjatë këtij mandati.

Zëvendëskryeministri Bislimi nënvizoi rëndësinë e avancimit të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së dhe trajtimit serioz dhe meritor të aplikimit të Kosovës të dhjetorit të vitit 2022.

Në takim u diskutua dhe rreth sfidave dhe perspektivës në këtë proces, potenciali i Kosovës për progres dhe zhvillim, angazhimi në Planin e Rritjes si dhe procesi i dialogut.