Me temën “Lëvizja e viteve 1990-1991 dhe shkatërrimi e Federatës Jugosllave”, po mbahet simpoziumi i pestë shkencor për “Lëvizjen”.
Veprimtarë politikë kanë folur për përpjekjet e sakrificat e shqiptarëve për mbrojtjen e identitetit dhe trevave të tyre. Po ashtu, është bërë thirrje për unitet politik në kohën kur Kosova po përballet me tension e presion nga Serbia.
Kryetari i shoqatës “Lëvizja”, Xhevat Bislimi tha se ky simpozium përkon me 40-vjetorin e bashkimit të organizatave patriotike shqiptare dhe krijimin e lëvizjes popullore të Kosovës.
Bislimi: Është një situatë që kërkon unitet politik
“Ishte organizata që veproi në kushte të jashtëzakonshme, në kushte të një terrori e persekutimi shtetëror jugosllav, por që e përballoi me sukses përndjekjen, persekutimin, vrasjet e shumë veprimtarëve dhe drejtuesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe angazhimin e saj, përpjekjen e saj, luftën e saj e finalizoi me luftën çlirimtare, me krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky simpozium sot përkon edhe me një situatë tensionesh, presionesh që po i bëhen Kosovës edhe pas 23 vitesh çlirimi nga Serbia pushtuese. Është një situatë që kërkon unitet politik, kohezion politik të forcave tona politike, parlamentare dhe të të gjithë qytetarëve tanë, sepse përballë kemi Serbinë dhe jo njëri tjetrin”, ka thënë ai.
Edhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve në Shkup, Skender Asani ka folur për përpjekjet e shqiptarëve në mbrojtjen e identitetit dhe trevave shqiptare.
Asani: Armiqtë tanë në vazhdimësi kanë dashur që të na devijojnë nga proceset e ndryshme
“Armiqtë tanë në vazhdimësi kanë dashur që të na devijojnë nga proceset e ndryshme. Sepse jemi populli më i vjetër i Ballkanit dhe ata kanë qenë të ardhur në këto treva. Kanë pasur problem me historinë e shqiptarëve në këto treva dhe ata kanë qenë të mobilizuar, ndërsa shqiptarët kanë qenë në mbrojtje të identitetit të tyre dhe etnisë së tyre në pozicione mbrojtëse. Dhe kjo ka bërë që shqiptarët në vazhdimësi territoret e tyre të tkurren dhe me luftërat ballkanike, me ngritjen e kufijve ballkanikë që dominoheshin nga serbo-sllavia, që nga beteja e Kumanovës të vitit 1913, ngritja e këtyre kufijve, shqiptarët i bëri që të mobilizohen për mbrojtjen e tyre, për organizimin e tyre që të rikthejnë pozicionet e tyre që i kishin lënë dikur”, u shpreh ai.
Veprimtari dhe i burgosuri politik, Hydajet Hyseni tha se brezat e asaj kohe ishin promotorët e gjitha zhvillimeve për çlirimin e trojeve shqiptare.
Hyseni: Lëvizja kombëtare me breza rinor ishin iniciatorët e zhvillimeve politike
“Lëvizja kombëtare me breza rinorë e gjithë popullorë, me dekor dallimesh e një anësimesh profilesh politikash e ideologjish por të përbashkuar fortë idealit të lirisë dhe flamurit kombëtar, ishin iniciatorët dhe promotorët i përbashkët i pothuajse të gjitha zhvillimeve politike dhe avancuese të kohës që kemi sot në shqyrtim, përpara dhe më vonë. Nuk ndodhë që të flitet në nivel kombëtar për çlirimin e Afrikës Jugore dhe të mos flitet për Mandelën. E tek ne ndodhë kjo. Ndërkaq, fryma liberatore dhe progresiste të brezave atdhetarë si dhe rrezatimi dhe ushqimi atdhetar frymëzues, përmbajtës, matues, fisnikërues e emancipues ishin mbështetja parësore dhe kryesore që vinte legalisht dhe ilegalisht nga Shqipëria mëmë”, ka theksuar Hyseni.
Simpoziumi i pestë shkencor është njëditor dhe do të paraqiten mbi 50 kumtesa të ndara në tri sesione. /TV Arbëria