Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sot deklaroi se Bashkimi Evropian ka vërejtje në dy kushte nga gjithsej gjashtë sosh që ka paraqitur kryeministri Albin Kurti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Bislimi, i cili është edhe kryenegociator në dialog me Serbinë, tha se plani i BE-së për dialogun, tregon kornizën bazë, e cila, sipas tij, nënkupton njohjen de-fakto.
“Gjashtë kushtet që ka paraqitur zotëri Kurti, në fakt janë parakushte që tregojnë se mund të diskutohet për mekanizmin e avancuar të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve. BE-ja ka vërejtje të saj në dy kushte.”, tha ai.
Bislimi u shpreh se platforma e BE-së për dialogun tregon vetëm principet bazë, ndërsa sa i përket implementimit të saj, duhet të diskutuar në Bruksel për aneksin zbatues mes palëve.
“Platforma tregon vetëm principet e veprimet bazë, ndërkohë gjithçka që ka të bëjë me implementimin e saj, duhet diskutuar në aneksin implementues mes palëve në Bruksel. Plani franko-gjerman tregon kornizën bazë, që nënkupton njohjen ‘de facto’ të dy shteteve, ndërkohë se si do të jetë sekuencimi i hapave, cilat marrëveshje nuk janë më të rëndësishme, e cilat duhet modifikuar, cilat duhet të zbatohen e si të zbatohen, për këtë do të diskutojnë palët në Bruksel. S’ka pasur diskutim për asnjë marrëveshje paraprake, por për kornizën e propozimit franko-gjerman.”, nënvizoi Bislimi.
I pyetur për targat ilegale, ai tha se me marrëveshjen e Brukselit nuk lejohet regjistrimi i targave të reja dhe as të targave ekzistuese.
“Me marrëveshjen e Brukselit nuk lejohet regjistrimi i targave të reja dhe as të targave ekzistuese. Ajo çka ka bërë Serbia, me idenë që ne po negociojmë në keqbesim që ka qenë gjithmonë logjika e Serbisë në negociata, pastaj të marrim një vendim në qeveri që të heqim nevojën e regjistrimit për targat ilegale KM, duke menduar se në këtë mënyrë i ikin marrëveshjes. Prandaj edhe ka qenë reagimi i zotëri Sveçla, i cili ka thënë ata mund të luajnë me vendime në Serbi, por ato vetura nuk munden të hyjnë në Kosovë.”, tha Bislimi.
Ndërkaq, e la fajtore edhe Brukselin zyrtar për mosimplementimin e udhërrëfyesit për energjinë në veri.
“Arsyeja pse nuk është finalizuar kjo marrëveshje qëndron në rezistencën e Elektroserverit që të nënshkruaj marrëveshjen sipas udhërrëfyesit. Ata insistojnë në respektimin e një marrëveshje tjetër gjoja që ata kanë arrit me KEDS-in në Stamboll, e cila nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjet e Brukselit. Po ashtu nuk janë përmbushur obligimet e BE-së, por mendoj se një pjesë bukur të madhe të fajit për moszbatimin e marrëveshjes e ka vet Brukseli apo ndërmjetësuesit, të cilët jo vetëm që e kanë lejuar takimin në Stamboll, por edhe kanë dërguar sinjale të gabueshme tek Elektroserver përmes interpretimeve të neneve të gabueshme të neneve që nuk kanë të bëjnë asgjë me udhërrëfyesin.” , shtoi ai.
Bislimi, këto komente i tha në konferencën për medie, ku u bë i ditur programin shtetëror për manifestimin e 15 vjetorit të pavarësisë dhe 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së./TV Arbëria