Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka përmendur “pesë siguresa” që vetëmenaxhimi nuk është “Zajednicë”. Ai ka deklaruar se ka dakordim të plotë në Bruksel që përmes këtyre kritereve të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim drafti që propozohet. Bislimi, në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme, shtoi se gjatë muajit mars janë 722 vetura që janë konvertuar në targa “RKS”.
Bislimi tha se janë pesë kritere që sipas tij vetëmenaxhimi, i përmendur në marrëveshjen e arritur në Bruksel e më pas në aneksin për zbatimin e tij në Ohër, nuk ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Bislimi: Janë pesë siguresa që vetëmenaxhimi nuk është “Zajednicë”
“Ka dakordim të plotë në Bruksel që do të jenë pesë kritere përmes të cilëve do të shihet se a është i pranueshëm, përgjithësisht si bazë për diskutim, propozimi apo drafti që propozohet. E para është, a kërkon ky draft apo ky propozim, a sugjeron, insiston, a parasheh një shtresë të re të qeverisjes. Në rast se parasheh shtresë të re të qeverisjes nuk konsiderohet si i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. 2. A nënkupton të drejta kolektive, në qoftë se po i merr epitetet e një drafti të papranueshëm. 3. Në ç’masë është në harmoni me marrëveshjet e dakorduara në vitin 2013 dhe në vitin 2015. 4. Në ç’masë është në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. 5. Në ç’masë është në harmoni me letrën që zonja Federica Mogherini i ka dërguar Qeverisë së Kosovës, ku tregon se çfarë kompetencash mund të ketë e çfarë jo, Asociacioni apo ky mekanizëm për implementim. Janë pesë siguresa të mjaftueshme që ky mekanizëm apo ky lloj vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që e kemi quajtur ‘Zajednicë’”, ka deklaruar Bislimi.
Bislimi tha se nuk është as kërkesë e ndërmjetësuesve që statusi i Kishës Ortodokse të zgjidhet në mënyrë joligjore, por të ndodhë formalizimi i statusit të saj.
Deputetja Time Kadriaj ka pyetur në lidhje me garancinë që ka marrë Kosova se Serbia nuk do të lobojë kundër anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Bislimi: Çdo lobim i Serbisë, konsiderohet si shkelje e marrëveshjes
“Bashkimi Evropian ka marrë obligime në rrugëtimin tonë drejt integrimeve tona evropiane. Dhe në rast se integrimet evropiane pengohen nga këto shtete, i bie që BE nuk ka arritur të përmbush obligimet e veta që dalin nga kjo marrëveshje. Pika që e ngritët për garancinë që Serbia të mos lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, garanci nuk ka por ka elemente që thonë që çdo lobim i Serbisë, konsiderohet si shkelje e marrëveshjes nga ana e Serbisë”, u shpreh Bislimi para anëtarëve të komisionit.
Bislimi ka folur edhe përpjekjet e Serbisë që KOSTT të përjashtohet nga Rrjeti Evropian të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E).
Bislimi: Ka rrezik potencial që ENTSO-E të marrë një vendim negativ për anëtarësimin e KOSTT-it
“Më pak se 2 për qind e popullatës që jeton në veri ka konsumuar shumëfishin për kokë banori, meqë ka qenë falas. Por është edhe një moment tjetër që njëfarë mënyre e ka bërë Serbinë agresive, jo miqësore dhe sabotuese. Ajo ka të bëjë me anëtarësimin e KOST-it në ENTSO-E, për arsyeje se në kornizën e rregulluar në Kosovë, KOSTT që ka marrë obligimin për ofrimin e energjisë në komunat veriore, e ka të pamundur të nominojë energjinë. Rrjedhimisht opsioni i vetëm që ju mbetet atyre është devijimi, e ENTSO-E ka rregulla shumë strikte për sa i përket devijimit. KOSTT-i edhe ZRRE janë munduar që të bëjnë zgjidhje që të minimizojnë devijimet. Për shembull devijimet mujore nga sistemi ndërkombëtar i energjisë kanë qenë pothuajse sa gjysma e konsumit në veri. Devijimet nuk kanë mundur të evitohen dhe për rrjedhojë ka rrezik potencial që ENTSO-E të marrë një vendim negativ për sa i përket anëtarësisë së KOSTT-it, e kjo do të kishte implikime më të këqija për vendin”, ka shtuar Bislimi.
Në raportimin e tij para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme, Bislimi shtoi se elektroserveri nuk është lejuar nga Beogradi për të nënshkruar kontratën.
Bislimi: Elektroserveri ka gatishmëri me muaj që të nënshkruaj kontratën
“Elektroserveri ka me muaj që ka pasur gatishmëri që të nënshkruaj kontratën, por elektroserveri nuk është lejuar nga politika në Beograd që të bëjë të njëjtën. Loja me energji nuk është lojë mes dy entiteteve private, por është lojë unilaterale e Qeverisë së Serbisë”, tha ai.
Heqja e asteriskut nga marrëveshja ka përplasur deputeten Doarsa Kica-Xhelili me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Kica-Xhelili: Ajo palë të sheh si pjesë të saj
“Do të doja një interpretim të juajin, se kur po thoni që është hequr asterisku. Sepse ekzistojnë marrëveshje që flasin për një trajtim të barabartë të palëve negociuese, ndërkaq ju në preambulë e keni fiks përkufizimin se si palët e shohin njëra-tjetrën. Pra, i ke dy palë dhe mendoj që po flas tashmë për diçka të tej përsëritur kur po them që pala në anën tjetër të ka në kushtetutën e Republikës së saj. Rrjedhimisht ajo palë ty të sheh si pjesë të saj”, ka thënë Kica-Xhelili, duke shtuar se heqja e asteriskut në këtë fazë, nuk mund të jetë gjë e mirë.
Për këtë ka reaguar zëvendëskryeministri Bislimi, i cili i tha deputetes Kica-Xhelili që “kësi interpretimi të palogjikshëm juridik nuk kam dëgjuar”.
Bislimi: Kësi interpretimi të palogjikshëm juridik nuk kam dëgjuar
“Unë kësi interpretimi të palogjikshëm juridik nuk kam dëgjuar. Kërkoj shumë ndjesë. Unë ju dëgjova, nëse dëshiron të ju përgjigjem, po ju përgjigjem. Nëse ke ardh për përgjigje, nuk po më intereson hiç. Më marrë prej fusnotës një fjali dhe me thënë që kjo është fusnota, ky është paragjykim. Është interpretimi i vetëm që e kam dëgjuar deri më sot që thotë asterisku ka qenë mirë për Kosovën, heqja e asteriskut qenka keq për Kosovën. Kjo i bjen që t’i falënderohemi kryenegociatorëve tanë që në Bruksel kanë luftuar si luan që të marrin asteriskun. E tash ne në padijen tonë po shkojmë po i bëjmë favor Serbisë, hiqe asteriskun”, u përgjigj Bislimi.
Më tej, Bislimi ka njoftuar se gjatë muajit mars, mbi 700 vetura janë shndërruar në targa RKS.
Bislimi: 722 vetura janë regjistruar gjatë muajit mars
“Vetëm në muajin mars kanë qenë të regjistruara diku 722 vetura, ndërkaq në muajin prill ka pasur më pak. Do të thotë numri i tërësishëm nuk e kalon numrin 800. Mirëpo, duhet të them që këto 722, shumica kanë qenë në dhjetëditëshin e fundit e muajit mars që tregon kapacitetet e regjistrimit. Ministria e Punëve të Brendshme ka treguar që ka gatishmëri t’i shtojnë kapacitetet edhe në komunat e tjera, të punojë edhe gjatë vikendit, të fusin edhe në pika kufitare në atë moment që sheh gatishmëri të qytetarëve për të konvertuar veturat e tyre”, ka njoftuar Bislimi në Komisionin për Punë të Jashtme.
Derisa edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi ka replikuar me Bislimin, ky i fundit është larguar nga salla ku po raportonte në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Për këtë është thënë se ai duhet të shkojë në seancën plenare.
Në raportimin e tij, ai ka kundërshtuar se pala serbe ka ndërhyrë në propozimin e fundit për dokumentimin e personave të zhdukur me dhunë. Bislimi është shprehur se kjo është bërë me kërkesë të palës nga Kosova.
/TV Arbëria